Pikantet e sfidës Partizani-Vllaznia/ Tifozët “braktisin” të kuqtë, debate për golin e anuluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2023 | 21:06

Pikantet e sfidës Partizani-Vllaznia/ Tifozët “braktisin” të kuqtë, debate për golin e anuluar

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes Partizani-Vllaznia.Collage Maker-16-Mar-2023-11-10-AM-1555 (1)

*Alban Hoxha deri në momentet e fundit të stërvitjes finale ka qenë i programuar për titullar, por një problem i shfaqur në momentet e fundit e ka bërë që ta shohë ndeshjen nga tribuna. Kapiteni ka një dëmtim të lehtë në shpatull dhe pritet të rikthehet pas pak ditësh.

*Eneo Bitri, ish-mbrojtës i Partizanit deri në janar, ishte i pranishëm në ambientet e stadiumit për të mbështetur skuadrën e tij. Ai u ul pranë drejtuesve të kuq, teksa në fund në ndeshjes ishte në tunelin e stadiumit “Partizani”, ku takoi të gjithë shokët e tij, por edhe një pjesë të lojtarëve të Vllaznisë, mes tyre Hakajn, një shok të vjetër.

*Mensah godet shtyllën në minutën e 36-të, Murataj nga zhgënjimi godet pjesën mbuluese të pankinës me grusht. Konstrukti i saj shkundet i tëri, teksa mbetet edhe një shenjë e vogël nga ajo shfryrje e mesfushorit, i cili u kursye për këtë ndeshje.

*Prani tejet e ulët tifozësh të Partizanit, teksa bie më së shumti në sy mungesa e ultrasve të kuq, “Ultras Guerrils”. Në stadium nuk janë më shumë se 800 të pranishëm.

*Marçelino Preka pëson një dëmtim, por zgjedh të qëndrojë ende në fushë dhe të testojë veten nëse mund t’ia dalë. Kur jep sinjale pozitive, Sota ulet në stol dhe ndalon nxehjen e tij. Fieraku kishte bërë të gjitha përgatitjet për të hyrë në fushë.

*”Hajde ambulanca, hajde zjarrfikësja”, dëgjohen të shprehen tifozët e Partizanit kur futbollistët e Vllaznisë shtrihen në tokë. Koha nuk ishte në favor të “demave” dhe lojtarët shkodranë mundoheshin të mbanin sa më shumë kohë lojën e ndaluar.

*Një prej lojtarëve të Vllaznisë mbetet i shtrirë në një prej hapësirave të fushës. Tifozët e Partizanit mblidhen në atë pjesë dhe nuk i kursejnë sulmet dhe sharjet. Fatmirësisht gjithçka u ndal me aq.

*Andi Hadroj ndalon për të lidhur këpucët në një moment, por menjëherë lë këtë proces dhe me lidhësen që varej, ndërpret me forcë një kundërsulm të rrezikshëm të Vllaznisë.

*Festë e jashtëzakonshme në momentin e golit të Carës, por në momentin që Barjamaj drejton dorën nga ekrani i VAR-it, të gjithëve u ngrin e qeshura dhe janë konfuzë çfarë ka ndodhur. Në fund Barjamaj anulon golin dhe festa shkon menjëherë në anën tjetër. Vetëm VAR-i t’i jep këto emocione ekstreme.

*Një shi i imët ka shoqëruar gjithë këtë ndeshje. Fatmirësisht asgjë nuk ka penguar lojtarët në lojën e tyre, ndryshe nga sfida e parë në Shkodër, ku reshjet e shiut ishin në intensitet të lartë dhe minutat e fundit u bënë shumë të vështira.

*Drejtuesit e Partizanit janë mjaft të acaruar me gjykimin pas ndeshjes, veçanërisht me golin e anuluar të Carës në minutat e fundit. Demostrativ në gjestet e tij është drejtori sportiv Elton Marini. Në fund ai flet edhe me zëvendëstrajnerin e Vllaznisë, Vioresin Sinani, si dhe me vetë Gurishtën. Gjithsesi, nuk palët nuk bien dakord.

*Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, sheh në celular rastin e faullit të Da Silvas ndaj tij dhe nuk ndërron mendim se është shkaktuar ndërhyrje e parregullt ndaj tij.

*Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, mërzitet para intervistave. Intervista e gjatë e presidentit t Vllaznisë, Alban Xhaferi, e detyron italianin të presë gjatë.

*Takim i ngrohtë mes Gentian Muçës dhe Balajt në fund të ndeshjes. Të dy janë një njohje e vjetër dhe kanë luajtur së bashku te Tirana.

*Gurishta vonohet aq shumë duke dhënë intervistat pas ndeshjes, sa shoferi i autobusit vjen ta thërrasë në korridor, pasi i gjithë ekipi po pret vetëm kapitenin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"