Pikantet e prezantimit të Silvinjos dhe ndihmësve të tij/ Batuta për krahun e majtë dhe stilolapsi, ja çfarë nuk u pa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2023 | 20:56

Pikantet e prezantimit të Silvinjos dhe ndihmësve të tij/ Batuta për krahun e majtë dhe stilolapsi, ja çfarë nuk u pa

Një sallë e mbushur plot me gazetarë dhe jo vetëm, zyrtarë të FSHF-së që nuk duhet t’u shpëtonte asnjë detaj, prova të shpeshta me foninë dhe dy Sulejmanë që bëhen bashkë për të ndjekur përcjelljen e Edi Rejës si trajner dhe prezantimin e një braziliani në krye të Shqipërisë.

duka silvinjo zabaleta doriva

Dje ishte dita e Silvinjos dhe në institucionin e futbollit shqiptar masat ishin të jashtëzakonshme që gjithçka në prezantimin e tij të shkonte në mënyrë perfekte. Silvinjo, bashkë me ndihmësit e tij, argjentinasin Pablo Zabaleta dhe brazilianin Dorival Guidoni, u shoqëruan nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, drejt podiumit ku do të zhvillohej konferenca e prezantimit të trajnerit të ri, ndërsa bashkë me ta ishte edhe 77-vjeçari italian.

Diçka e pazakontë, që në ditën e prezantimit të trajnerit të ri, FSHF kishte menduar që së pari të bëhej një përshëndetje me Rejën, duke qenë të gjithë bashkë.

“Unë po ulem në krahun tënd të majtë”, iu drejtua Silvinjo Dukës për vendin në sallën e konferencave. Menjëherë Reja bëri një batutë për këtë që tha braziliani: “Ti Silvinjo gjithnjë majtas…” Kjo kaloi me të qeshura, pasi ajo që tha Reja ka të bëjë edhe me rolin që ka pasur braziliani në fushë, pasi ka luajtur si mbrojtës i majtë.

REJA

Më pas, në startin e konferencës, Duka nuk ngurroi të bënte një batutë disi pa “kripë” para stafit të ri, duke konsideruar emrat e tyre të gjatë dhe kërkoi mirëkuptim që t’i prezantonte ashtu siç i njihnin shkurtimisht, pra si Silvinjo, Zabaleta apo Doriva.

Ndërkohë, kur erdhi momenti që të bëhej ceremonia zyrtare e firmosjes së kontratës, për ters stilolapsi që kishte braziliani nuk shkruante. Ndoshta i kishte mbaruar boja… Gjithsesi, Duka i dha Silvinjos stilolapsin që përdori vetë dhe firma ndodhi.

Në sallën e tejmbushur ra në sy prania e trajnerëve të Kombëtareve të moshave, por mbi të gjitha e Sulejman Demollarit dhe Sulejman Memës në karriget e para. Dy Sulejmanët komentuan së bashku atë që po ndodhte, ndërsa i kërkuan Rejës të pinte një kafe pas mbarimit të konferencës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"