Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Balajn e “tërbon” ngjyra e kuqe, në fund të gjithë bëjnë llogari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 22:02

Pikantet e Partizani-Vllaznia/ Balajn e “tërbon” ngjyra e kuqe, në fund të gjithë bëjnë llogari

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes Partizani-Vllaznia, e përfunduar me shifrat 2-1 në favor të skuadrës së drejtuar nga Xhovani Kolela.

347396962_924234665320231_2309844740511235884_n

*Partizani futet para Vllaznisë në dhomat e zhveshjes para ndeshjes. Lojtarët e kuq thirren nga Kolela dhe në fushë qëndrojnë të fundit dy sulmuesit, Mba dhe Da Silva. Në këtë moment një djalë i vogël në tribunën përballë zbarkon në fushë dhe shkon te Da Silva për t’i kërkuar fanellën. Fatkeqësisht del “thatë”.

*Skuadra U-14 u shpall kampione e Kategorisë Superiore në këtë sezon dhe para ndeshjes bëri paradën e zakonshme para tifozëve, ku mori gjithë mbështetjen dhe ngrohtësinë e nevojshme. Parada zgjati pak si shumë dhe organizatorët bënë thirrje për t’i dhënë fund, por në altoparlantin e ultrasve të kuq dëgjohet: “S’ka gjë. Le të nisim pas Tiranës”. Kjo fjali shoqërohet me ilaritet.

*Në stadiumin “Arena e Demave” ka një prani të kënaqshme të tifozëve, megjithëse duhet theksuar se stadiumi i kuq nuk është mbushur asnjëherë me kapacitet të plotë, që shkon rreth 4 mijë vende. Ditën e djeshme në stadiumin e Partizanit ishin rreth 2100 tifozë. Vllaznia përfaqësohej me një numër prej rreth 50 ultrasish.

*Tirana shënon gol në minutën e 18-të dhe në stadium për disa çaste pas këtij lajmi bie heshtja. Më pas gjithçka vijon normalisht.

*Bekim Balaj shënon golin e parë me aksion, që nga mbërritja e tij në Shkodër në janar. I veçantë është fakti që shkodrani ka shënuar në total dy gola dhe të dy ia ka shënuar Partizanit, që rezulton të jetë “preja” e tij e vetme në këtë sezon. Bomberin mesa duket e “tërbon” vetëm ngjyra e kuqe.

*Dy golat e shpejtë të Tiranës bëjnë të pllakosë heshtja në stadiumin “Arena e Demave”. Tashmë të gjithë shpresojnë në triumfin e të kuqve, që shanset të mos shuhen.

*Lorenc Trashi dhe Nderim Nexhipi, dy ish-lojtarë të “demave”, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e Partizanit, ishin dje në stadium për të mbështetur ekipin e zemrës. Pasi u shpallën kampionë me Ballkanin, ata kërkojnë që të festojnë edhe për Partizanin. Trashi luan me Ballkanin, ndërsa Nexhipi është pjesë e klubit nga Suhareka si drejtor sportiv.

*Rreth 20 fëmijë “gozhdohen” para hyrjes së stadiumit dhe kërkojnë foto e fanella të lojtarëve të Partizanit. Një skenë mjaft e bukur, e cila të bën të mendosh se pavarësisht alternativave të shumta për argëtim, futbolli vijon të jetë zgjedhja e parë për një pjesë të madhe fëmijësh.

*Pas ndeshjes, në ambientin e Partizanit mbizotëronte qetësia, teksa një pjesë ishin përqendruar mbi celular, duke bërë llogari se si mund të shkohet te titulli kampion. Goli i Bylisit në fund ia shton shpresat, por më pas gjithçka barazohet nga Kukësi dhe llogaritë marrin tjetër rrjedhë. Të kuqtë shpresonin për një fitore të Bylisit, që ata të luanin sa më të motivuar ndaj Tiranës, në përpjekje për t’i marrë minimalisht një barazim, që do ta çonte titullin në shtëpinë e kuqe.

*Ultrasit e Vllaznisë, pavarësisht humbjes së ekipit të tyre, kënduan dhe brohoritën ekipin edhe për disa minuta pas fërshëllimës së fundit të Florjan Latës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"