Pikantet e Partizani-Egnatia/ Bekim Rexhepi më pak i lumturi, Skuka zbret në fushë pa logo. Ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2022 | 15:29

Pikantet e Partizani-Egnatia/ Bekim Rexhepi më pak i lumturi, Skuka zbret në fushë pa logo. Ja çfarë nuk u pa në TV

Ndeshja mes Partizanit dhe Egnatias kishte shumë dinamikë në fushë, por për shkak se luhej në Elbasan, larg kryeqytetit, atmosfera nuk ishte ajo që pritej në një sfidë kur në fushë është një nga ekipet më të titulluara në vend. Sfidën nuk e ndoqi presidenti i “demave” Gazment Demi, por i pranishëm ishte drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, i cili ka zgjedhur të qëndrojë në hije gjatë kësaj merkatoje.

partizani egnatia

*Egnatia në çdo ndeshje merr mjaft entuziazëm nga tifozët e saj dhe afërsia e Rrogozhinës me Elbasanin bëri që në stadium të jenë një numër i konsiderueshëm spektatorësh, që mbështesnin skuadrën e drejtuar nga Edlir Tetova. Sigurisht, më të shumtë të numër ishin tifozët e Partizanit, megjithëse jo aq sa pritej. Këtë sfidë e ndoqën rreth 1600 tifozë, shifër mjaft e ulët.

*Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, ishte i pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen e ekipit të tij. Nga ana tjetër, presidenti i Partizanit, Gazment Demi, nuk ishte i pranishëm. Për të minimizuar mungesën e presidentit kishte menduar Olsi Rama, drejtori i përgjithshëm i klubit.

*Në minutën e 83-të Matondo pëson një çarje në kokë, që duket serioze. Bitri kërkon zëvendësim dhe ky sinjal krijon një frikë momentale, pasi trajneri Kolela i kishte konsumuar të tria hapësirat e zëvendësimeve. Fatmirësisht mjekët e fashojnë me kujdes mesfushorin dhe japin miratimin për të vazhduar edhe në minutat e mbetura.

*Goli i Skukës dhe sigurimi i tri pikëve i gëzoi padyshim të gjithë, por ai që e ndjeu më pak ishte Rexhepi, të cilit padyshim i rëndonte gabimi i bërë te goli i pësuar. Disa nga shokët shkuan ta ngushëllonin dhe ta ndihmonin të kapërcente këtë moment të vështirë.

*Nuk dihet arsyeja, por heroi i ndeshjes, Xhuliano Skuka, në nisje të sfidës mbante veshur një fanellë pa stemën e Partizanit në anën e majtë të saj, ku qëndron zakonisht. Më pas gjithçka korrigjohet nga stafi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"