Pikantet e ndeshjes/ De Biazi shkakton “rrëmujë” në zonën VIP, Panuçi tërbohet me Hykën dhe Memushajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2018 | 22:54

Pikantet e ndeshjes/ De Biazi shkakton “rrëmujë” në zonën VIP, Panuçi tërbohet me Hykën dhe Memushajn

Një stadium gjysmë i mbushur me bileta të përgjysmuara dy orë para ndeshjes dhe masa ekstreme sigurie, por me tymueset që “depërtojnë” në stadium.

kombetarja-fitore

Panuçi që i bën të gjitha në këtë ndeshje dhe De Biazi që shkakton “rrëmujë” në zonën VIP, por dhe probleme me mbërritjen e Kombëtares tonë në stadium. Të gjitha këto dhe jo vetëm ishin disa nga pikantet e mbrëmjes së djeshme që serviren nga “Panorama Sport”.

* Ashtu siç pritej, stadiumi ishte pothuajse i boshatisur. Pak nga frika e masave të marra për këtë ndeshje dhe pak nga gjendja e Kombëtares, tifozët nuk preferuan që ta ndiqnin nga afër këtë sfidë. Ndikim mund të ketë pasur edhe çmimi i biletave, aq sa detyroi FSHF-në të përgjysmojë çmimin pak para ndeshjes. Gjithsesi, as 4500 shikues.

* Masat e marra kanë qenë ekstremisht të rrepta në pamje të parë, me forca të shumta rendi, snajperë dhe policë nëpër pallate, si edhe një helikopter që herë pas here patrullonte zonën. Mirëpo, për fat të mirë tifozët nuk hoqën kalvarin e vuajtjeve të hyrjes në stadium me kontrolle deri-diku normale. Edhe në pallatet aty pranë u panë tifozë që po ndiqnin ndeshjet nga shtëpitë e tyre.

* De Biazi vazhdon të mbetet ende i preferuari i të gjithëve në Shqipëri. Fillimisht qëndron me gazetarët dhe nuk i mungojnë batutat, teksa bën foto edhe me tifozët. Më pas, një përqafim i ngrohtë me Dukën dhe Salihin para se të hyjë në stadium. Panuçi mund të jetë bërë paksa edhe xheloz.

* De Biazi bën lëmsh sigurinë. I gjendur në vendin e tij në një nga ulëset e tribunës VIP, përkrah personaliteteve, një tifoz ka dashur që të takohet me ish-trajnerin. Në momentin e parë, italiani ka lëvizur nga stoli, pasi punonjësit e sigurisë nuk lejonim askënd që të futej mes atyre ulëseve. Mirëpo, një tjetër edhe më i moshuar ka dashur të kalojë. Këtë herë punonjësit e sigurisë kanë shtuar forcat për të mos lejuar as zotërinë e dytë t’i afrohet. Italiani e kalon me sportivitet këtë situatë me një nënqeshje në fytyrë.

* Emocionet e startit të kompeticionit kanë kapur edhe spikerin e stadiumit. Në start të komunikimit, duke prezantuar rrugën drejt Europianit, është ngatërruar viti: “Shqipëria kërkon Europianin 2040”.

* Për lojtarët e stolit mendon zëvendëspresidenti i FSHF-së, Nuri, që ndoqi ndeshjen nga pankina. Ai përqafon secilin që është zgjedhur nga Panuçi për lojë.

* Mërzia, irritimi, radhët e gjata të kontrollit të kaluar deri në hyrjen në stadium, bëjnë tifozët që të vërshëllejnë himnin e Izraelit. Në fakt, e pajustifikueshme dhe në fund pati duartrokitje.

* Kombëtarja izraelite vjen në “Elbasan Arena” nën masa të rrepta sigurie, të shoqëruar nga 6 furgonë dhe dy autobusë, pa harruar edhe furgonat e policisë që i shoqëruan gjatë gjithë rrugës.

* Pak minuta pasi mbërriti në stadium Izraeli, erdhi edhe autobusi i Kombëtares shqiptare. Mirëpo, rruga për në hyrje të stadiumit ishte e bllokuar, pasi ende nuk ishin hapur nga eskorta izraelite. Pasi qëndruan për pak minuta në pritje, u akomodua edhe skuadra shqiptare.

* Një lajm i mirë për këtë ndeshje ishte edhe rikthimi i grupimit mbështetës të kombëtares “Tifozët Kuq e Zi”. Gjatë himnit shpalosën një baner gjigant ku shkruhej: “Bashkimi bën fuqinë 1444”. Më pas kujtuan një shokun e tyre të ndjerë: “Spartak Mazhi, gjithmonë me ne”. Në minutën e 25-të TKZ fton publikun e “përgjumur” për mbështetje.

* Në krahun tjetër të tribunë ishte grupimi “Iliryan Elite”, të cilët gjithashtu mbështetën Kombëtaren. Gjatë lojës ndezën edhe flakadanë, duke ia dalë t’u shpëtojnë kontrolleve.

* Tekniku i izraelitëve, Andreas Herzog, e nis “sfidën” me spektakël. Në minutat e para te lojës ndalon topin me finte pas një rivënie anësore të Binakut. Jo më kot ka qenë sulmues… Në të 34-ën është Panuçi që i “përgjigjet” me një top të stopuar. Jo vetëm kaq, por Panuçi u tregua “fair play” me Kajal, i cili pasi ngeli i shtrirë në tokë i dha dorën për ta ngritur.

* Policia nuk qëndroi në tribunat ku ishin akomoduar tifozët, por në të gjitha hyrjet e stadiumit, ku nuk munguan forcat e FNSH-së, në gatishmëri për ndonjë ndërhyrje.

Panuci

* Panuçi u pa shumë ekspresiv gjatë ndeshjes, ku nuk e mbante vendi. Fillimisht “tërbohet” nga Hykaj dhe pastaj me radhë Binaku, Veseli dhe Guri. Në një moment pushimi, Panuçi thërret i inatosur Memushajn për t’iu afruar atij dhe t’i japë udhëzimet. Disa herë në pjesën e dytë tekniku i kuqezinjve u ankua edhe tek arbitri i katërt për vonesat e portierit. Nuk e përmban gëzimin në golin e Xhakës, duke u ekzaltuar dhe përqafuar stafin, ashtu si edhe në fund të lojës.

* Gjimshiti në të 40-ën kthen një top të gabuar për Strakoshën, për fat të mirë nuk pësojmë gol. Pas aksionit mbrojtësi kërkon ndjesë për gabimin e kryer. Ndërkohë, tifozët u irrituan në dy raste me Hykën, i cili dilte në krah dhe nuk krosonte topin në zonë.

* Kryesori Kasai i tërheq vëmendjen zv/presidentit të federatës, Lutfi Nuri, pasi shfryu ndaj një faulli në dëm të skuadrës sonë. Kasai i bën me shenjë gjyqtarit të katërt t’i afrohet. Ndërkohë, edhe Panuçi nuk e mbajti irritimin në momentin e faullit.

* Në minutën e 79-të, Panuçi programon për të futur në lojë Andi Lilën, por kur do bëhej gati zëvendësimi, tekniku informohet se Veseli ka probleme. Tekniku bën prapakthehu dhe Lila ulet në pankinë. Pak minuta më vonë largohet Veseli dhe vendin e tij e zë Mavraj

VLADIMIR MEMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"