Pikantet e Laçi-Anderleht/ Mbushet “Elbasan Arena”, belgët mbledhin mbeturinat pas ndeshjes. Ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2021 | 18:30

Pikantet e Laçi-Anderleht/ Mbushet “Elbasan Arena”, belgët mbledhin mbeturinat pas ndeshjes. Ja çfarë nuk u pa në TV

Nga interesimi i tifozëve, irritimi i Duros për golat dhe mbledhja e mbeturinave të lëna nga belgët, “Panorama Sport” ju paraqet pikantet dhe ato çfarë nuk u panë në ndeshjen Laçi-Anderleht.

230187880_166305292156828_5127773057353440580_n (1)

P.Pashollari

– Interesimi për sfidën ndaj Anderlehtit ka qenë më i madh në krahasim me dy sfidat e para të Laçit. Fillimisht kurbinasit patën menduar të hapnin vetëm tribunën qendrore, por duke parë kërkesat, hapën edhe tribunën përballë. Para ndeshjes u pa një fluks në biletari, kjo edhe për faktin se tifozët shqiptarë lënë gjithçka për në minutat e fundit. Madje, tifozët hynin në stadium edhe kur pjesa e parë ishte në minutat e fundit të saj.

– Për shkak të mungesës së licencës “UEFA PRO”, Vincent Kompani nuk ishte regjistruar si trajner i parë, ndërsa në protokoll trajner u shënua Kreijg Belami. Gjatë gjithë ndeshjes ata dublonin njëri-tjetrin, teksa një herë jepte udhëzimet Kompani dhe një herë Belami, me Anderlehtin që ishte me dy “trajnerë” në këtë ndeshje. Në fund ai shkon të shtrëngojë dorën me Duron, ndërkohë që më pas “pushtohet” nga fëmijët që kapin topa për të bërë një foto me të.

232100479_225918509535385_8461073990525782417_n (1)

FOTO: P.Pashollari

– Ndodhte që Kompani jepte udhëzimet për lojtarët në fushë, ndonjëherë edhe duke bërtitur, me tifozët shqiptarë që nuk kursenin ironitë, për shkak edhe të moskuptimit të gjuhës.

– Për shkak të temperaturave shumë të larta, kryesori u detyrua që në mesin e secilës pjesë të ndalonte lojën për t’u freskuar paksa lojtarët. Këtë fat nuk e kishin tifozët nëpër tribuna, të cilët u “thanë” për ujë, pasi edhe shërbimi katering mungonte.

– Shpëtim Duro nuk i ka kapërdirë dot golat e pësuar nga skuadra e tij, duke u irrituar jashtë mase, teksa dy golat e parë ishin thuajse identikë nga goditja e këndit. E shfryn inatin duke goditur tokën me grushte, me të drejtë, sepse u pësuan dy gola plotësisht të evitueshëm.

– Në minutën e 20-të, mesfushori mik, Olsen, kryen një ndërhyrje të rrezikshme dhe ndëshkohet me të verdhë. Në këtë moment, ai i kërkonte llogari gjyqtarit, ndërsa një tifoz nga tribuna ia beh: “E meritove kartonin, hiqe këmbën, ku e ngren ashtu atë. Çfarë kërkon tek arbitri?”

231684246_804179050247465_16261391828787044_n (1)

– Në tribunën VIP ishte i pranishëm edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili e pa ndeshjen me presidentin e Laçit, Pashk Laska.

– Në momentin që spikeri në stadium po jepte disa të dhëna për ndeshjen, përmendi edhe një karton të verdhë. Në këtë moment një tifoz i Laçit ia ben: “Nuk e kemi luajtur me kartonë, jo”.

-Për të parë më mirë vendimet e arbitrave në fushë dhe për të dhënë gjykimin në fund, vëzhguesi i gjyqtarëve e pa ndeshjen nga tribuna e gazetarëve. Pranë vetes kishte edhe një telefon dhe shihte rastet e diskutueshme në fushë.

220452907_932895627292513_4847343466075243008_n (1)

– Pas përfundimit të ndeshjes, pjesëtarë të stafit të Anderlehtit shkojnë të mbledhin mbeturinat në zonën e tribunës ku qëndroi një pjesë e stolit të tyre, duke dhënë edhe leksione kulture në vendin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"