Pikantet e Kukësi-Skënderbeu/ Tension te verilindorët edhe kur fitojnë, lojtarët nuk pranojnë zëvendësimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2022 | 22:59

Pikantet e Kukësi-Skënderbeu/ Tension te verilindorët edhe kur fitojnë, lojtarët nuk pranojnë zëvendësimet

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes së luajtur të shtunën në “Kukës Arena”, ku numri i tifozëve të pranishëm ishte rreth 1000.

kukesi

* Trajneri i Kukësit, Diego Longo, u detyrua ta shihte ndeshjen në tribunë, për shkak se kishte plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë. Megjithatë, për shkak të kushteve të impiantit, italiani qëndronte ngjitur me pankinën dhe jepte udhëzime nga lart, pa u ndier shumë mungesa e tij. Gjatë gjithë lojës, ai përfitonte nga ndalesat dhe thërriste lojtarët për të dhënë udhëzime, ashtu edhe stafin e tij, të kryesuar nga drejtori Pero Pejiç dhe ndihmësi Amedeo di Late.

* Portieri Angelos Tafas detyrohet të ndërrojë fanellën e tij pa nisur ende ndeshja. Ai mbante të veshur bluzë me ngjyrë të kuqe, e cila ngjasonte me atë të Skënderbeut. Arbitri e detyron portierin të dalë jashtë dhe të veshë uniformën e dytë, atë me ngjyrë të verdhë.

* Një mungesë e rëndësishme për Kukësin në këtë ndeshje ishte ajo e mesfushorit Shqiprim Taipi, i cili ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe e ka mbyllur para kohe sezonin. Gjithsesi, të shtunën ishte i pranishëm në stadium për t’i dhënë zemër skuadrës, teksa u pa me paterica.

* Mbrojtësi i krahut te verilindorët, Alija Kërniç, u zëvendësua që në minutën e 25-të me Gligorovin, duke mos e fshehur mërzitjen kur u ul në pankinë. E njëjta gjë ndodhi edhe pas zëvendësimeve të brazilianit Feizhao dhe kapitenit Taipi në pjesën e dytë. Të dy shfaqën nervozizëm ndaj pankinës, madje Gjelbrimi shkoi direkt në dhomat e zhveshjes. Këto situata tregojnë tension te Kukësi edhe kur fitojnë, ndërsa gjatë këtij kampionati nuk kanë munguar polemikat me disa lojtarë.

* Portieri i Skënderbeut, Shkëlzen Ruçi, e ka me shokët e skuadrës te goli i pësuar, duke kërkuar llogari për mënyrën se si i lanë të lirë kundërshtarët në zonë, çka solli edhe golin e Feizhaos.

* Për afro 20 minuta nga fundi, loja u “fik” fare, me Kukësin që mbante vetëm topin në zonën e vetë. Ky moment solli pakënaqësi në radhët e tifozëve, të cilët nuk pajtohen me lojën, por kërkojnë nga skuadra të shënojnë golin e sigurisë.

* Në fund të sfidës ka nervozizëm mes ekipeve, ku portieri i Kukësit debaton me kapitenin e Skënderbeut, Erlis Frashëri. U desh ndërhyrja e stafeve dhe lojtarëve të të dyja ekipeve që situata të qetësohej.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"