Pikantet e Egnatia-Vllaznia/ Tersi shkodran nisi te autobusi, vendasit akuzuan për ofendime sulmuesin mik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2022 | 23:29

Pikantet e Egnatia-Vllaznia/ Tersi shkodran nisi te autobusi, vendasit akuzuan për ofendime sulmuesin mik

Nga problemet me autobusin te përplasjet e tifozëve shkodranë me sulmuesin e tyre Mehdi Çoba. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes Egnatia-Vllaznia, luajtur të shtunën në Rrogozhinë.

camaj mihana

* Një orë para ndeshjes, Vllaznia ka mbërritur në stadium me dy autobusë. Mësohet se ai që është i personalizuar me mbishkrimin e klubit, kishte pasur një defekt, por që u riparua shpejt. Megjithatë, për të qenë të sigurt, klubi kishte marrë edhe një tjetër autobus gjatë udhëtimit në Rrogozhinë, nga i cili zbriti i gjithë ekipi.

* Në minutën e 5-të pati ovacione në tribunë, pasi tifozët vendës pikasën në sektorin VIP mesfushorin ganez, Majkëll Agbekpornu, i cili është rikthyer më në fund pranë ekipit pasi zgjidhi problemet me vizën. Ai është parë në shoqërinë e presidentit Agim Demrozi.

* Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka qëndruar me jelek në pankinë, sikur të ishte një lojtar në nxemje, që bëhej gati të hynte në fushë. Në momentet e golave, ai ka festuar gjatë, me të gjithë futbollistët. Më pas, në daljen para mediave, u shfaq me uniformë civile.

* Dy shkodranë në fushë dhe një në pankinë në rolin e drejtorit tek Egnatia e kanë përjetuar më shumë se të tjerët ndeshjen ndaj Vllaznisë. Bëhet fjalë për portierin Alen Sherri, mbrojtësin Abdurraman Fangaj dhe drejtorin sportiv, Ndriçim Shtubina, të cilët sigurisht i janë gëzuar jo pak suksesit ndaj ish-ekipit.

* Në pushim të ndeshjes, i mërzitur nga loja e dobët e Vllaznisë, presidenti Alban Xhaferi ka zbritur nga tribuna dhe ka shkuar drejt dhomave të zhveshjes. Nga sa mësohet, kreu i klubit nuk i ka kursyer tonet kritike, po në fakt Vllaznia, edhe gjatë pjesës së dytë, nuk arriti të korrigjonte asgjë, duke pësuar edhe golin e tretë.

* Flamujt e shumtë dhe një daulle e ultrasve shkodranë janë valëvitur e dëgjuar pa pushim, edhe pse rezultati nuk foli në favor të Vllaznisë.

* Në pushim të ndeshjes ka pasur tension në sektorin e ultrasve kuqeblu, pasi kishin diçka për të sqaruar me sulmuesin e tyre, Mehdi Çoba, i cili po kryente nxehjen. Tifozët kanë pretenduar se janë ofenduar nga lojtari, por gjithsesi Çoba e ka mohuar këtë.

* Kjo është hera e dytë në pak muaj që Egnatia fiton 3-0 me kuqeblutë. Në fazën e tretë të kampionatit të kaluar kishte ndodhur për herë të parë më 19 mars, teksa autori i tregolëshit ishte braziliani Pedro.

* Në stadiumin “Arena Egnatia” kanë qenë edhe dy artistët e mëdhenj shkodranë, kompozitori e regjisori Osman Mula dhe humoristi i mirënjohur, Besnik Çinari. Ata janë parë të zhgënjyer pas ndeshjes.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"