Pikantet e Egnatia-Tirana/ Rrogozhinasit “duan” penallti, ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2022 | 17:04

Pikantet e Egnatia-Tirana/ Rrogozhinasit “duan” penallti, ja çfarë nuk u pa në TV

Egnatia dhe Tirana u ndeshën me njëra-tjetrën në Rrogozhinë për javën e dytë të “Abissnet Superiore”, ku ra në sy ai dëmtim horror i Qefalias. “Panorama Sport” sjell momentet më pikante të kësaj sfide për lexuesit e saj.

HASANI KALLAKU ZHIVANAJ TIRANA 1

-Në fillim të ndeshjes përqafime mes lojtarëve të Tiranës, dhe Edlir Tetovës, ish-ndihmësit të Shehit.

-Në minutën e 26-të, pas një krosi në qendër të zonës së Tiranës, Egnatia kërkon një penallti për një prekje të sferës me dorë nga ana e Toshevskit. Pamjet filmike tregojnë se nuk ka pasur prekje me dorë.

-Tifozët hedhin në fushë shishe uji, duke kërkuar nga gjyqtari që të vendosë për penallti.

-Gjatë momenteve pas dëmtimit të Qefalijas, Përgjoni, Bekaj, Xhixha e lojtarë të tjerë mezi e mbanin veten në fushën e lojës, pas dëmtimit horror të mesfushorit bardheblu.

-Hamzat i cili u përplas me Qefaliajn hyn në fushë, ndërsa stafi i Egnatias e kthen në fundore. Lojtari revoltohet: “Jam mirë, dua të luaj”.

-Asnjëherë më parë në Rrogozhinë nuk ka qenë një dekor më festiv se sa dje dhe një mbushje e stadiumit të ri dhe të bukur “Arena Egnatia” me kapacitetin e vet maksimal prej 2400 vendesh. Dje, nëpërmjet një fonie të fuqishme është prezantuar për herë të parë dhe “himnin” i ri e skuadrës vendëse të Egnatias.

-Në tribunën VIP, krahas presidentit Agim Demrozi të Egnatias dhe djalit të presidentit të Tiranës, Grenti Halili, janë dalluar edhe figura të rëndësishme të sportit si specialisti e trajnerit të shquar Sulejman Starova, atij nga Durrësi, Edmond Zalla apo ish-kapitenit të Egnatias sezonin e shkuar, Gëzim Krasniqi, që tani luan për ngjyrat e Erzenit.

-Vijon vetëm të humbasë Egnatia sa herë ka përballë Tiranën. Në sfidën e 9-të të luajtur dje janë 8 fitore që tregojnë dominimin e Tiranës dhe vetëm një barazim i arritur sezonin e kaluar. Edhe golaverazhi është tashmë i thellë 3:19 në favor të bardhebluve.

-Masa tepër të mira për tifozëritë e të dyja skuadrave nga forcat e rendit. Tifozët kryeqytetas (më shumë se 150 të tillë) janë sistemuar në vendin e ultrasve për miqtë në anën jugore të stadiumit. U pa disa minuta para mbarimit që shumë prej tifozëve vendës ta braktisnin stadiumin që 8-9 minuta para se të mbyllej ky takim.

-Pas takimit drejtuesit e Egnatias janë parë të gjithë bashkë të dëshpëruar në pankinën e Egnatias kur po intervistohej trajneri i Tiranës Orges Shehi. Më pas ka shkuar në konferencë dhe trajneri Edlir Tetova.

-Është unikal fakti që në Rrogozhinë nuk ka asnjë tifoz që të futet në stadium pa biletë. Edhe dje është ruajtur e njëjta traditë, sepse janë të mirëorganizuara si sportelet, po mbi të gjitha kultura që për të ndjekur një ndeshje, rregulli më i parë është pajisja me biletë.

-Në pushim të ndeshjes te vendi ku ishin të qarta shenjat e gjakut të Klevi Qefalisë kanë ndërhyrë punonjësit e mirëmbajtjes së stadiumit “Arena Egnatia” duke pastruar njollën e gjakut në fushë.

-Të gjithë në fushë nga futbollistët e të dyja skuadrave, por edhe në tribunat e spektatorëve kanë qenë në panik pas dëmtimit të Qefalijas. Në momentin që lojtari po largohej duartrokitjet kanë shpërthyer edhe nga publiku për t’i dhënë kurajë e forcë futbollistit të ri kryeqytetas.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"