Pikantet e duelit Partizani-Erzeni/ Maget largohet nga fusha me lot në sy, shashkat dëmtojnë Matondon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2023 | 21:02

Pikantet e duelit Partizani-Erzeni/ Maget largohet nga fusha me lot në sy, shashkat dëmtojnë Matondon

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes mes Partizanit dhe Erzenit, e përfunduar me shifrat 3-0 dhe e zhvilluar nën një atmosferë shumë të zjarrtë në tribuna.Collage Maker-20-Feb-2023-08.47-PM

*Sabit Bilali ishte humbja e madhe e minutave të fundit para ndeshjes për Partizanin. Burime nga klubi i kuq bëjnë me dije se ai është dëmtuar në stërvitjen e fundit para ndeshjes, çka e detyroi Kolelën të aktivizojë nga minuta e parë Maget Gueje.

*Partizani kishte rezervuar tribunën e dedikuar, të rrethuar me gardh metalik për tifozët e Erzenit, por këta të fundit kishin ardhur më të shumtë në numër. Organizatorët vendosën të hapin edhe një sektor për shijakasit, teksa në vend të gardhit metalik, këtë herë u vendosën efektivët e forcave Shqiponja. Fatmirësisht nuk u regjistrua asnjë incident. Kjo ishte hera e parë që mbushet plot sektori mik.

*E djeshmja ishte një nga ndeshjet më të zjarrta ndonjëherë për sa i përket spektaklit në tribuna. Kjo për faktin se kishte një numër të madh tifozësh të të dy krahëve dhe kjo e bënte ndeshjen akoma më të bukur. Të shtunën në stadiumin “Partizani” ishin rreth 3000 të pranishëm.

*Maget ndëshkohet me karton të kuq që në minutat e para të ndeshjes. Gjatë daljes nga terreni i blertë, senegalezi mbulon kokën me fanellë, teksa nuk mungojnë as lotët e dëshpërimit.

*Ndeshja ishte barazim pa gola, por Partizani kishte një lojtar më pak. Portierin Rexhepi për një moment e kap vrulli i ndeshjes dhe nis topin me shpejtësi. Trajneri i tij, Ilir Bozhiqi, i bën thirrje nga tribuna të jetë më i qetë dhe të marrë kohën e tij.

*Ndeshja mori zjarr në momentin e kartonit të kuq, por më pas të dyja skuadrat u strukën për të mbrojtur portën e tyre. Goditja e parë në portë shënohet vetëm në minutën e 32-të me Alan, që rrezikon portën e Rexhepit.

*Lojtarët e Partizanit shkojnë të festojnë golin e dytë të tyre pranë tribunës së tifozëve të Erzenit. Kjo krijon acarim të shijakasve, që lëshojnë disa lëndë plasëse në drejtim të të kuqve. Në fund Matondo mbetet i dëmtuar, por fatmirësisht pa pasoja të rënda.

*Da Silva zëvendësohet pak pas golit të shënuar dhe në fytyrën e tij tregon qartë se nuk është aspak i lumtur për vendimin e Kolelës.

*Marcelino Preka hyri në lojë dje në pjesën e dytë dhe bëri debutimin për Partizanin në një ndeshje të Kategorisë Superiore. Me integrimin në skuadër, ai bëhet kandidat potencial për formacionin titullar.

*Rrapaj ishte një nga më të mirët në fushë, por trajneri vendosi ta zëvendësojë. Në momentin që del nga pankina, Rrapaj duket se i kërkon Fatjon Tafajt arsyen e zëvendësimit, me ndihmësin e Kolelës, që e lë këtë diskutim në një moment të dytë.

*Tifozët e Erzenit nuk pajtohen aspak me rezultatin e skuadrës së tyre dhe vendosin ta lënë ndeshjen më shumë se 10 minuta para përfundimit të saj. Tribuna e tyre thuajse boshatiset e tëra.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"