Pikantet e Dinamo-Vllaznia/ As 50 tifozë në Elbasan, në tribuna dhe në fushë ka përplasje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2022 | 15:09

Pikantet e Dinamo-Vllaznia/ As 50 tifozë në Elbasan, në tribuna dhe në fushë ka përplasje

Dinamo-Vllaznia nuk tërheq as 50 tifozë në stadiumin “Elbasan Arena”. Për të ardhur keq që kjo ndeshje tradicionale për futbollin shqiptar mes dy klubeve me shumë histori, që në total së bashku kanë fituar 27 tituj kampionë, braktiset në këtë mënyrë nga sportdashësit. Gjithsesi, përtej barazimit pa gola dhe ritmit të ulët të lojës, pati edhe momente në fushë dhe tribunën qendrore, që në njëfarë mënyre tërhoqën vëmendjen gjatë ndeshjes. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes pa fitues, ku nuk mungoi as tensioni në shkallë.

bandicam 2022-05-05 16-45-20-467

* Trajneri i Dinamos, Rodolfo Vanoli, para fillimit të ndeshjes shkon në pankinën e Vllaznisë për të takuar kolegun e tij, Elvis Plori, me të cilin përqafohet.

* Pak minuta pasi kishte filluar ndeshja, në stadium u shfaq edhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, i cili e ndoqi takimin në shoqërinë e miqve të tij në tribunën e medias.

* Tifozët dinamovitë kapen me njëri-tjetrin, teksa sapo filloi loja njëri prej tyre po bënte zhurmuesin, duke bezdisur ata pak të tjerë që kishin zënë vend në tribunën qendrore. “Ne kemi luajtur futboll dhe nuk bëjmë kështu si ty, po shko shiko ndonjë ndeshje tjetër…”, ia behu njëri prej tyre.

* Vanoli kërkon përkthyes anglishteje nga pankina për t’i dhënë udhëzime sulmuesit Arturo Rexhinaldo. “I thoni të shkojë drejt topit dhe ta sulmojë atë”, ishin direktivat e trajnerit italian.

* Dashje pa dashje, shoferi i autobusit të Dinamos është bërë personazh për shkak të lënies në këmbë të lojtarëve dinamovitë në ndeshjen e pak javëve më parë me Kastriotin. Për këtë arsye nuk mungojnë ngacmimet nga miqtë e tij. “Dy burra ka pasur Shqipëria, Petrit Dume dhe ti”. Ky moment kaloi sigurisht me të qeshura.

* Kapiteni i Dinamos, Agim Ibraimi, kapet me fjalë me Rexhinaldon, për një aksion që nuk u mbyll si duhet. Jo pak i mërzitur duket edhe sulmuesi nga Mozambiku, i cili gjithashtu i hakërrehet Ibraimit.

* Elvis Plori tërbohet për një faull të dhënë në dëm të skuadrës së tij në fillimin e pjesës së dytë, teksa për një tërheqje nga fanella i hakërrehet arbitrit Florian Lata. “O Lato, po luaj aty mo se nuk jemi në balet këtu, na tregoke fanellën ti”, iu drejtua trajneri shkodran. Më herët protesta patën edhe te pretendimet për penallti në fundin e pjesës së parë.

* Në minutën e 80-të, pas një inkursioni të Haxhiut, është Adili që i shkakton faull lojtarit të bluve. Mirëpo, mbrojtësi i Vllaznisë ka diçka për të sqaruar me kundërshtarin dhe e shtyn me duar. Për pak situata precipiton, por futbollistët ndahen më pas nga shokët e tyre.

* Portieri i Dinamos, Romeo Harizaj, ngrihet nga pankina gjatë sherrit që pati në fushë mes Adilit dhe Haxhiut, ndërkohë që një tifoz i kërkoi të ulet dhe të mos merret me përplasjet. Në këto momente, ai ia kthen duke e fyer: “Po boll ti mo se na ke çarë…” Mirëpo, ky moment solli irritimin e tyre dhe madje tentuan të hyjnë në fushë. Sakaq, Harizaj ulet në pankinë dhe merr karton të verdhë nga arbitri, ndërsa tifozët mundohet t’i qetësojë Vanoli dhe drejtoi Ermal Barushi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"