Pikantet e Dinamo-Tirana/ Vanoli e Shehi përqafohen si të ishin miq të vjetër, ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2022 | 19:57

Pikantet e Dinamo-Tirana/ Vanoli e Shehi përqafohen si të ishin miq të vjetër, ja çfarë nuk u pa në TV

Derbi mes Dinamos dhe Tiranës kish te pak interes, pasi të dyja ekipet ishin pa objektiv. Në stadium jo vetëm që ishin pak tifozë të pranishëm, por edhe ata heraherës harronin të shikonin ndeshjen dhe përqendroheshin te biseda mes tyre. Gjithsesi, kjo ndeshje pati disa momente pikante, që gazeta i sjell.

DINAMO TIRANA 1

-Në tribunën përballë të “Selman Stërmasit”, shumë të distancuar nga njëri-tjetri ishin dy grupimet e ultrasve të Tiranës, “Tirona Fanatics” dhe “Capital Crew”. Ata kënduan herë pas here koret e tyre, por asnjëherë nuk ishin në sintoni me njëritjetrin. Nuk munguan edhe koret fyese ndaj Partizanit.

-Trajnerët Vanoli dhe Shehi përshëndetën me shumë përzemërsi njëri-tjetrin si para, ashtu edhe pas ndeshjes.

-Në minutën e 30-të Dinamo fitoi një penallti me kapitenin Ibraimi. Në atë moment, sulmuesi Rexhinaldo iu lut Ibraimit ta gjuante ai penalltinë për të shënuar golin e parë me fanellën e Dinamos. Kapiteni e lejoi, por afrikani sërish nuk ia doli të gjente rrugën e rrjetës, pasi u ndal nga Lika. Në patë moment pati ndonjë batutë nga tifozët, por edhe inkurajime, si “Hajde Rexhi, hajde”.

-Trajneri Vanoli ka pasur ndonjë debat gjatë ndeshjes me të tijtë, me Imamin në fushë dhe me Ali Samaken në momentin e zëvendësimit të këtij të fundit.

-Në fillim të pjesës së dytë, me fanellën e Dinamos debutoi mesfushori Redon Laho. -Seferi u shfaq nervoz në disa momente, sidomos në pjesën e dytë, kur nuk gjeti kombinimet e duhura për të shënuar.

-Pas ndeshjes, lojtarët e dy skuadrave u përshëndetën nga afër me tifozët e tyre. Teksa ata po i drejtoheshin tunelit për të hyrë në dhomat e zhveshjes, tifozë të vegjël ndaluan Seferin për të bërë me radhë foto me të. Edhe pse në mes ishte dera e hekurit, sulmuesi i Tiranës nuk i refuzoi “selfie”-t e tifozëve bardheblu. Një tifoz i vogël kërkoi me ngulm Redon Xhixhën. “O Xhixhe, jam ai shoku yt, do ma japësh bluzën”, iu drejtua ai. Sulmuesi ia ktheu thjesht me një buzëqeshje.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"