Pikantet Dinamo-Laçi/ “Kafshëri” ndaj Agim Ibraimit, forcat e sigurisë inekzistente

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 21:45

Pikantet Dinamo-Laçi/ “Kafshëri” ndaj Agim Ibraimit, forcat e sigurisë inekzistente

Sjellje skandaloze nga tifozët e Laçit në “Elbasan Arena” kundër kapitenit të Dinamos, Agim Ibraimi. Fundi i ndeshjes së djeshme riktheu skenat e turpshme në stadiumet shqiptare dhe këtë herë protagonist u bënë një grupim i vogël mbështetësish të ekipit kurbinas, të cilët nën “hundën” e forcave të sigurisë, jo vetëm që bënë çfarë deshën, por gati sa u futën në fushë për t’u kapur me kapitenin Ibraimi, i cili qëndronte në stol në minutat e fundit.

dl

Habi të madhe te të pranishmit bëri fakti se forcat e sigurisë nuk mundën ta evitonin këtë incident të pakuptimtë, ku 4- 5 vetë shfrynë në ofendime pa limit ndaj Ibraimit dhe familjarëve tij. Shkak u bë tensioni në fund pas golit të Laçit, që kërkoi konfirmimin e VAR-it për t’u quajtur i vlefshëm. Gjatë momentit që arbitri Ferataj po shihte në ekran, afrohen nga pankina kurbinase, ndërkohë që tifozët në tribunën qendrore nuk “pranojnë” të shihet në VAR.


Në këtë moment ata kapen me kapitenin Ibraimi, i cili po u kërkonte që ta linin gjyqtarin të qetë. Dje në mbrëmje videoja e këtij rasti të turpshëm bëri xhiron e rrjeteve sociale duke dëmtuar edhe një herë imazhin e kampionatit.

PIKANTET

“Panorama Sport” ju sjell edhe pikantet e ndeshjes në Elbasan, me tifozët dinamovitë që japin “spektakël” në tribunë duke bërë herë rolin e trajnerit, herë të specialistit, pa harruar sharjet ndaj sistemit VAR. Dinamo doli e para në fushë për të bërë nxehmjen, por “harroi” të futet në dhomat e zhveshjes, teksa stërvitja vazhdonte edhe pse arbitri kishte dhënë urdhër për t’u kthyer në dhoma.

* Interesimi i tifozëve ishte shumë i vakët, diku te 400, por gjithsesi dinamovitët ishin më të shumtë në numër. I pranishëm si gjithnjë ishte edhe tifo-grupi “Blue Boys”.

* Stoli i Laçit ankohet te gjyqtari për një karton të verdhë të padhënë, për një ndërhyrje ndaj Lushkjes. “Është karton o Ferhataj”. Në këto momente ndërhyn i katërti, por nga pankina i kthehen sërish: “Si ta lë mo, si ta lë, është karton”. Në fakt gjatë gjithë ndeshjes nga të dyja kampet pati shumë pretendime për kartona.

* Sa herë ndonjë lojtar dëmtohej dhe bërtiste nga dhimbjet, shoqëroheshin edhe me pasthirrmat e tifozëve, të cilat shkaktonin ilaritet në stadium. * Shkëmbi kërkon nga Mihana të jetë më aktiv sepse skuadra rrezikoi të pësonte gol nga një neglizhencë e lojtarit të tij.

* Duke parë se diçka nuk po shkonte në lojën e Dinamos, tifozët guxojnë dhe i japin këshilla Shkëmbit: “O Shkëmb, po ndërroji krahun Gavazajt se nuk po jep gjë nga e djathta”. Sakaq, e sugjerojnë edhe për Sidiben. “Hiqe atë Sidiben mo se do na dali me të kuq, do na marri në qafë”. Me nisjen e pjesës së dytë, tekniku ia plotëson dëshirën.

* Në momentin që VAR-i anuloi golin e dinamovitëve, tifozët kapen edhe me teknologjikë, duke lëshuar lumë të sharash.

* Menjëherë pas golit të shënuar, ultrasit dinamovitë nxorën një baner thumbues: “Nuk ramë – na hodhën. Keq për ta, kot u lodhën”, ndërsa më pas shajnë në kor edhe ekipin e Skënderbeut.

* Mazrekaj tërbohet me arbitrin në momentin që në lojë hyn Berberi në vend të Ibraimit, që i dorëzon edhe shiritin e kapitenit. Berberi nuk po e vendoste dhe po vonohej loja, ndërsa Mazrekaj i hakërrehet gjyqtarit: “Ça po bën mo, do vazhdojmë lojën”, shfrynte kosovari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"