Pikantet / Daja i bërtet Gavazajt, vizitorë të veçantë për Radasin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2017 | 12:30

Pikantet / Daja i bërtet Gavazajt, vizitorë të veçantë për Radasin

-60 minuta para fillimit të takimit mbërriti në stadium presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, këtë herë i pashoqëruar nga zv.presidenti dhe miku i tij i ngushtë. Arlind Boshku. Në vend të Boshkut. në dhomën e presidentit ishte Tefik Osmani. Nga ana tjetër, pas shumë muajsh mungesë në stadium dje, për herë të parë këtë vit, është vënë re prania e Agim Zeqos, ish-presidenti i Skënderbeut që ka ndjekur takimin së bashku me presidentin Takaj.

skenderbeu

-Edhe pse ndeshja e djeshme luhej pa praninë e tifozëve, në tribunën VIP të Skënderbeut janë parë shumë persona, gjë e cila nuk duhej lejuar nga përfaqësuesit e FSHF-së. Në bazë të rregullores, takimi duhej të ndiqej nga 10 përfaqësues për çdo ekip, si dhe gazetarët e atashuar. Por, numri i atyre që kanë ndjekur dje takimin ka qenë i madh.

-E veçanta e kësaj here, për sa i përket policisë private që ishte e vendosur në stadium, ndryshe nga takimi i Kupës kundër Teutës, ishte se polici privat në hyrjen e tribunës korrigjoi disi shënjestrën. Në takimin kundër Teutës, po i njëjti polic privat ishte gati të linte jashtë stadiumit kryebashkiakun, ndërsa këtë herë ka hezituar të lejojë në stadium një pjesë të gazetarëve. Por gjithçka është zgjidhur shumë shpejt.

-Ndeshja filloi e qetë dhe menjëherë me gol për Skënderbeun, që shënoi që në minutën e 10-të të takimit. Gjithsesi, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, nuk reshti së dhëni udhëzimet e tij për lojtarët në fushë. I pari që provoi “këshillat” e trajnerit bardhekuq ishte Enis Gavazaj, që në një moment po i kërkonte llogari anësorit për një rivënie të gabuar, por Daja ia ka prerë hovin. “Enis, kthehu nga loja. Mos vazhdo më”, ishte urdhri i Dajës.

-Trajneri i portierëve të Korabit, i cili kishte marrë drejtimin e ekipit ditën e djeshme, ka qenë mjaft i qetë në stol, saqë nuk e ka ngritur zërin në asnjë moment. Ndoshta shkarkimi i papritur i trajnerit Haxhiu i ka shokuar të gjithë.

-Në ndryshim nga takimi i fundit, ku Osmani ishte trajneri në fushë për Skënderbeun, këtë herë frenat e ndeshjes në dorë i ka marrë Vangjeli, i cili ka udhëzuar ekipin në çdo moment. Jo vetëm prapavija ishte nën udhëzimin e korçarit, por edhe pjesa tjetër e ekipit, sidomos në vendosjet te goditjet standarde.

-Marko Radas ka pasur tre vizitorë specialë ditën e ndeshjes në stadium. Bashkëshortja e Markos, djali dhe vajza ishin të ftuarit specialë për të ndjekur nga afër takimin. Në momentin kur Radas godet traun e portës nga goditja e dënimit, reagimi i të birit ka qenë ai që ka tërhequr vëmendjen, por pasi topi përfundoi në shtyllë, mërzitja ishte jo e pakët.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"