Pikantet / “Bobi, bëhu gati, nuk kemi gjë në terezi me këtë”, tifozët nuk pranojnë lojtarët pas humbjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2017 | 15:48

Pikantet / “Bobi, bëhu gati, nuk kemi gjë në terezi me këtë”, tifozët nuk pranojnë lojtarët pas humbjes

-Topin e parë për sezonin e ri e shkelmoi ish-sulmuesi i Partizanit të viteve ’80, Ilir Lame.

partizani

-Në tribunën qendrore mbizotëronin prurjet e bujshme të merkatos së verës së Partizanit. Edgar Çani ka qenë i shoqëruar nga e fejuara, ndërsa Shahinas, Selvaxhio, Basrak qëndruan bashkë. Braziliani Uarlej preferoi ta shikonte ndeshjen nga tribuna VIP. Në këtë sektor ishin vendosur edhe dy drejtues të sezonit të shkuar, trajneri Sulejman Starova dhe Edmond Haxhia.

-Trajneri i Kukësit, Mladen Milinkoviç, e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna dhe ka mbajtur shënimet e duhura, pasi dihet se në jav- ën e dytë do të përballet me Partizanin në kryeqytet.

-Presidenti Gaz Demi nuk ka preferuar që të lëvizë nga tribuna VIP në pushim të ndeshjes, por ka qëndruar në shoqërinë e bashkëshortes së tij. Të palëvizur në pushim kanë qëndruar edhe Starova me Haxhian.

-Të dy trajnerët kanë preferuar të qëndrojnë në këmbë, madje në disa raste gati sa nuk kanë hyrë në fushë për të udhëzuar lojtarët. Iuliano shpesh ka komunikuar me ndihmësit e tij, teksa Nica gjatë gjithë kohës udhëzonte lojtarët si të silleshin në fushë.

-Në minutën e 20-të, Vila dhe Sukaj i hakërrehen gjyqtarit Alla, për shkak se laçianët po luanin rëndë, por ai nuk po i merrte në konsideratë. Madje të dy lojtarët i treguan gjyqtarit pasojat që kishin në këmbët e tyre.

-Partizani del i pari nga dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjes, por duke parë se nuk kishte dalë kundërshtari, trajneri Iuliano i jep urdhër përgatitësit Sakone që të vërë në lëvizje lojtarët.

-Pas disavantazhit 0-2, nuk kanë munguar edhe batutat nga tifozët në stadium. Njëri i drejtohet trajnerit Iuliano me këtë thirrje: “Fute Bonuçin në mbrojtje!”.

starova haxhia

-Duke parë disfatën e skuadrës, ka pasur edhe thirrje për ish-trajnerin Starova që ndodhej në tribunën VIP. “Bobi, bëhu gati, nuk kemi gjë në terezi me këtë!”, ishte thirrja e një tifozi për Starovën.

-Në përfundim të ndeshjes, disa lojtarë të Partizanit iu drejtuan dhomës së zhveshjes, por Adorjan dhe, më pas, trajneri Iuliano kanë kërkuar që ekipi të shkonte dhe të përshëndeste tifozët. Përveç duartrokitjeve të zakonshme, nuk kanë munguar dhe kontestimet nga tifozë të ndryshëm. “Ikni, ikni”, ishin thirrjet e ultrasve të zhgënjyer nga humbja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"