Pikante/ Vlonjatët akuza stafit për “lëshime” ndaj demave, lojtarët e Partizanit “kurnacë” me tifozin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2018 | 23:39

Pikante/ Vlonjatët akuza stafit për “lëshime” ndaj demave, lojtarët e Partizanit “kurnacë” me tifozin

Flamurtari e ka mbyllur me humbje ndeshjen e fundit sezonale në shtëpi, por kjo për tifozët vlonjatë ishte e pritshme, pasi stafi kishte aktivizuar të rinjtë dhe rezervat ndaj Partizanit. Për këtë, ata hodhën akuza në drejtim të stafit pas pësimit të golit të dytë.

flamurtari partizani

-Administratori Sinan Idrizi mungonte dje në stadium. Por, në tribunën VIP ishte zv.presidenti Kreshnik Çipi dhe anëtari i bordit, Robert Islamaj. Përkrah tyre ishte Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama.

-Të dënuarit e Flamurtarit e kanë ndjekur ndeshjen nga tribuna. Drejtori teknik Ardi Ciruna, mjeku Ardi Lluka ishin në tribunë. Ata shoqëroheshin nga anëtarë të bordit të klubit dhe Edmond Liçaj.

-Vasil Ruci, para ndeshjes ishte nën shoqërinë e drejtorit të Partizanit, Olsi Rama. Ruci dhe Rama ngjitën bashkë shkallët e stadiumit drejt tribunës, teksa po diskutonin miqësisht. Në afërsi të tribunës, Rama i hapi rrugën Rucit. “Kalo, para”, i tha Rama.

-Hyrja në të gjitha tribunat e stadiumit ishte falas për tifozët. Por e mbushur ishte vetëm tribuna qendrore. Pavarësisht se ishte falas, tribuna qendrore kishte edhe vende bosh. E ndërsa “Guerrils”, mbështesnin Partizanin, “Flota Kuqezi” mungonte.

partizani

-Ibrahimi dhe Tushi fashojnë kokën pas përplasjes në fushë. Pasi e lidhën kokën dhe u mjekuan, dy lojtarët u përqafuan së bashku përpara se të hynin në fushë.

-Përpara se të niste pjesa e dytë e ndeshjes, Çani shikohet nën shoqërinë e Veliut. Të dy lojtarët diskutojnë për pak me njëri-tjetrin dhe përqafohen.

-Në përfundim të pjesës së dytë, disa fëmijë, nxënës të shkollave ishin në vendin e grupimit “Flota Kuqezi”. Ata shpalosën një flamur kuqezi gjatë pushimit. Më pas, në pjesën e dytë mbështetën ekipin, duke brohoritur.

-Pas golit të dytë të Partizanit, tifozët e Flamurtarit shpërthejnë, duke kërkuar që trajneri Bifsha të hyjë në pankinë. “Bifsha futu brenda. Kjo është ndeshje kontrolli. Turp i madh, e keni lënë vetë, u pa që kur aktivizuat të rinjtë”. Pas golit të dytë, tifozët nisën të largoheshin nga stadiumi, bashkë me ta edhe tifozët e vegjël që zëvendësuan ‘Flotën’.

-Pak pasi doli nga loja, i riu Tushi transportohet me ambulancë drejt spitalit, për shkak se nuk po i pushonte hemorragjia.

-Në minutën e 74-t, një tifoz nxirret jashtë stadiumit nga policia për shkak se po shante dhe ofendonte lojtarët.

-4 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të takimit, fiket tabela elektronike. Kjo gjë solli reagimin e tifozëve në fushë.

-Në Vlorë, dje kishte edhe vlonjatë me Partizanin. Kameramani i një televizioni privat, Algert Harizaj, pas ndeshjes u ka folur me radhë lojtarëve të Partizanit nga tribuna, duke u kërkuar fanellën e të kuqve. Por, asnjë nuk e lëshonte. “O Fejzulla, të lutem më jep fanellën se jam me Partizanin. O Trashi, o Abdurrahim, o Xhika, fanellën”, u shpreh ai. Të njëjtën kërkesë ia bëri edhe Telushit, por as ai nuk ia plotësoi dëshirën.

-Forca të shumta të policisë ishin dje prezent në stadium dhe jashtë tij. Veç uniformave të Policisë së Vlorës kishin ardhur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"