PIKANTE| Vllaznia-Teuta/ Lekiqi sherr me Vilën në fund, tifozët e ndezin pas hekurave (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2020 | 23:00

PIKANTE| Vllaznia-Teuta/ Lekiqi sherr me Vilën në fund, tifozët e ndezin pas hekurave (VIDEO)

– Vllaznia u rikthye në “Loro Boriçi” pas më shumë se tre muajsh mungesë. Pas dy transfertave në kampionat, me Teutën luajtën në shtëpi. Ndeshja e parë çerekfinale e Kupës së Shqipërisë u zhvillua me masa të larta, duke respektuar edhe protokollin për të evituar përhapjen e “COVID-19”.

Vllaznia

– Luhej me dyer të mbyllura, por tifozët nuk munguan. Grupimi “Power 12” ka qëndruar pranë ekipit, edhe pse jashtë stadiumit. Mbështetja e tyre është ndierë edhe nga lojtarët, pasi brohoritjet dhe thirrjet ishin të shumta. E megjithatë, kulmi ishte pas golit të Zogajt. Ato kanë shëtitur thuajse në të gjithë perimetrin e stadiumit duke dhënë përshtypjen se ato janë në çdo cep të tij të pranishëm.

– Hysen Dedja rikthehet për të katërtën herë në Shkodër si trajner dhe pikërisht dje kishte “premierën”. Ndryshimet nuk munguan as në formacion, ndërsa dukshëm u pa një ekip shumë mbrojtës. Përveç katërshes Gligorov, Shehi, Malota e Marku, lojtarë me tipare mbrojtëse, pjesë e këtij sektori në disa takime kanë qenë edhe Adili, Gurishta e Krymi.

– Përqafime mes stafit teknik të Vllaznisë dhe lojtarëve të stolit në dy golat e parë, ndërsa Hygor vendosi që të shkonte enkas te Dedja për ta përqafuar.

– Në të 27-ën Dajan Shehi kapet me anësorin pa një faulli të akorduar: “A shikon, a je në terezi, nuk ishte asnjë”.

– Suad Lici nuk ka qëndruar dot në vend. Administratori gjatë gjithës kohës ka dhënë këshilla nga tribuna VIP për lojtarët për manovrën mbrojtëse e sulmuese.

– Në të 35-ën minutë një top prek Enea Jorgjin dhe kryesori vendosi që të lejonte vijimin e aksionit, që mund të sillte edhe një gol në favor të Vllaznisë, por gjuajtja e Krymit ndalet nga portieri Frashëri.

-Ka nerva në të 42-ën. E.Vila dhe Adili diçka më shumë i thonë njëri-tjetrit, e megjithatë situata kalon me këshilla. – Malota në vend që t’i bjerë topit në të 42-ën, godet me kokë në mënyrë të pavullnetshme L.Vilën.

– Kuro ankohet në pushim tek arbitri, e më pas diçka diskutonte dhe me Gligorovin.

– Pasi dalin nga dhomat e zhveshjes për pjesën e dytë, Malota sheh Jorgjin dhe i tregon që në një rast duhet të jepte të verdhin. Kryesori ishte duke folur me delegatin Besnik Çela, i cili i kërkon që të vazhdojë dhe të shkojë në fushë.

– Një ndërhyrje në anësore e detyron Enea Jorgjin që të japë të verdhë. E megjithatë, ngatërroi personazh. I drejtohet Hygorit, në një kohë që nuk ishte ai. U desh ndërhyrja e Likës që të pranonte se e bëri ai faullin ndaj Kallakut dhe e verdha kaloi te kapiteni.

– Safet Osja replikon fort me gjyqtarin e 4-t për një rivënie me dorë, që sipas zv.trajnerit u ekzekutua disa metra larg vendit ku duhet: “Çfarë është kjo anësore që zhvendoset për 30 metra. Shikoje mirë”.

– Në shifrat 2-0, Edi Martini dhe stafi i tij kërkonin më shumë ritëm dhe të shmangeshin sa më shumë vonesat. – Që me startin e pjesës së dytë, trajneri i Teutës kërkon nga dyshja shkodranët Hebaj e Gruda që të mbajnë ekipin përpara.

– Në të 70-ën Martini e ka kësaj here me Jorgjin, ku kërkon një faull në favor të lojtarëve të tij.

– Një ndërhyrje e gabuar në drejtim të Likës ka bërë që të vijë edhe një batutë nga të pranishmit e paktë në shkallët e “Loro Boriçit”: “O arbitër është faull në boks një ndërhyrje e tillë”.

– Martini kërkon më shumë ritëm në 12 minutat e mbetura të lojës pas shënimit të golit të parë, duke kërkuar nga të tijtë që të bëjnë maksimumin për barazim në minutat e mbetura. Dhe plani iu realizua.

– Lici ankohet te pankina në minutat e fundit: “Si ka mundësi, e keni lëshuar mbrojtjen krejt”. Dhe vërejtja e administratorit doli me vend, pasi në minutën e tretë shtesë u ndëshkuan.

– Sherr dhe të shara pas golit të shënuar nga ana e Dejvid Kapllanit. Përgatitësi i portierëve, Ideal Lekiqi, është kapur me fjalë me Emiljano Vilën. Është kaluar masa edhe me ofendimet, aq sa është dashur edhe ndërhyrja e Martinit e Dedjes për të vendosur qetësinë. Nuk ka munguar as një debat i Adilit me Vilën dhe sërish ishte trajneri i Teutës që ka sheshuar gjithçka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"