PIKANTE| Vllaznia-Teuta/ Dritat fiken dy herë, Jonuz niset për Maqedoni. Tifozët merren me… Ramën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 22:44

PIKANTE| Vllaznia-Teuta/ Dritat fiken dy herë, Jonuz niset për Maqedoni. Tifozët merren me… Ramën

Nuk kanë fund çudirat në futbollin shqiptar. Një incident u regjistrua në “Loro Boriçi”, teksa brenda harkut kohor të 15 minutave u fikën 2 herë dritat. Një defekt në sistemin e ndriçimit bëri që VllazniaTeuta të zgjaste 107 minuta.

Fikja e Dritave ne Loro Borici te Shkodres

– Ishte e 16-ta minutë kur ra energjia elektrike në “Loro Boriçi”. Direkt u ndez ndriçimi i emergjencës, e megjithatë sa të stabilizohej gjithçka, u deshën 7 minuta që të rifillonte loja. Në këtë kohë stafet teknike përfituan të zhvillonin lojëra në fushë, që lojtarëve të mos u ftoheshin muskujt. Por nuk mbeti me kaq, pasi në të 29-ën minutë u përsërit avaria. Këtë herë ishte më e rëndë, pasi pati tërësisht “black out”. Sikundër zbulon “Panorama Sport”, këtë herë defekti ishte te fiderat që furnizojnë stadiumin. Errësira pushoi impiantin, por edhe zonën rreth tij. Terri zgjati pak, por loja rifilloi pas 8 minutash derisa sa ndriçimi të kthehej në kushtet optimale dhe të ndizeshin të gjithë projektorët. Kujtojmë se një situatë e ngjashme ndodhi edhe në sfidën e para disa javëve mes Tiranës dhe Teutës, teksa pati probleme me energjinë.

– Në fikjen e dytë të dritave, iku edhe transmetimi televiziv.

– Ky moment gjithsesi u shoqërua edhe me një shou viziv, pasi sikundër duket në foto, tifozët me telefonat krijuan një dekor “xixëllonjash”.

Loro Borici (1)

– Shumë pak tifozë të pranishëm në shkallët e stadiumit. Pritshmëritë ishin më të mëdha, e megjithatë jo më shumë se 600 tifozë u panë në tribunën përballë të “Loro Boriçit”. Sikundër edhe dihej, prej dënimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës tribunat qendrore dhe VIP-i ishin të boshatisura. Të vetmit që u lejuan ishin drejtuesit dhe pjesëtarët e stafeve të të dyja klubeve.

– Grupi “Power 12” nuk munguan në këtë ndeshje. Ata ishin vendosur pas portave dhe në minutën e 10-të shfaqën një banderolë thumbuese, teksa shkruanin: “Farexhinjtë, Qebaptoret, s’kanë vend”.

– Pas shkëputjes së energjisë, tifozët kanë lëshuar thirrje kundër kryeministrit dhe në kor u dëgjuan teksa thoshin: “Rama ik! Nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë në stadiume, pasi edhe në ndeshjen mes Shqipërisë e Francës, në “Air Albania Stadium” ndodhi kjo gjë.

– Fanellat e reja nuk i sjellin fat Vllaznisë. Skuadra dje zbriti në fushë me uniforma ku pjesa e pasme ishte tërësisht e kuqe, ndërsa përpara me vijat klasike kuq dhe blu.

– Mirsad Jonuz edhe këtë ndeshje e ndoqi larg tribunave, ashtu si atë ndaj Tiranës. Ai ka qenë në një prej dhomave të transmetimit, duke e ndjekur me qetësi përballjen.

– Uendi Vecaj u rikthye si ish në Shkodër, e megjithatë duartrokitjet nuk iu kursyen. Teksa Bledi Shkëmbi vendosi ta zëvendësonte, tifozët e përkrahën.

– Janë dashur 75 minuta që të zgjohet tifozëria shkodrane, por kjo nuk ka mjaftuar që skuadra të shkojë drejt fitores.

-Mirsad Jonuz me t’u mbyllur ndeshja, është larguar direkt nga stadiumi dhe Shkodra. Ai është nisur për në Maqedoni, për të pushuar pranë familjes.

– Suad Lici e Bledi Shkëmbi përshëndeten miqësisht mes tyre. Trajneri i Teutës ka përfituar që të takojë edhe të tjerë lojtarë, me të cilët ka qenë kundërshtar gjatë kohës kur luante futboll.

– Kanë qenë të paktën 7 raste kur lojtarët e të dyja ekipeve e kanë prekur me dorë topin. Mund të themi se kanë qenë me fat, pasi faullet nuk kanë ndodhur në zonë dhe rrjedhimisht nuk kishte as penallti.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"