PIKANTE| Vllaznia-Bylis/ Trajneri s’do më ndeshje me drita, tifozët surprizë Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2019 | 22:20

PIKANTE| Vllaznia-Bylis/ Trajneri s’do më ndeshje me drita, tifozët surprizë Vllaznisë

Trajnerët boshnjakë, Mirsad Jonuz i Vllaznisë dhe Veljko Dovedan i Bylisit, janë takuar para ndeshjes, duke shkëmbyer edhe batuta.

dovedan jonuz

Dueli Elmir Lekaj-Eridon Qardaku ishte një nga më të veçantët në pjesën e parë. Dy lojtarë që kanë qenë pjesë e akademisë e nisën titullarë për Vllazninë dhe Bylisin. Qardaku u duartrokit nga tifozët shkodranë në momentin e zëvendësimit.

– Pas anulimit të golit dhe më pas akordimit në favor të Bylisit në minutën e 16-të, pati tension në tribunën qendrore dhe lumë bidonësh në fushë. Menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë, trajneri Mirsad Jonuz shkon në mes të fushës dhe i kërkon llogari arbitrit. Më pas vjen administratori Lici dhe policia për të qetësuar situatën. Edhe në këtë moment ka hedhje sendesh në fushë, ndërsa tifozët kapen me Goxhajn. Delegati Besnik Çela debaton me trajnerin e Bylisit, Veljko Dovedan, teksa i kërkon të futet në tunel, por boshnjaku refuzon. Nga ana tjetër Jonuz u kërkoi tifozëve të mos hidhnin shishe në drejtim të fushës dhe arbitrave të takimit.

vllaznia arbitri ziri

– Skuadra ballshiote humbi një nga lojtarët e formacionit që pa nisur mirë takimi. Ntepe u dëmtua në nxehmje dhe u zëvendësua me Hadrojin.

-Problemet që ka shfaqur tapeti i sapombjellë i stadiumit “Loro Boriçi”, kanë treguar se ndoshta ai nuk ishte ende i gatshëm për zhvillimin e një takimi. Ndërsa mësohet se tapeti mund të kërkojë edhe një mbjellje tjetër para takimit të 15 nëntorit kur Shqipëria U-21 do të luajë kundër Anglisë U-21.

– Nuk u pa gjatë startit të pjesës së dytë trajneri maqedonas i Vllaznisë Mirsad Jonuz. Ai nuk ka lëvizur nga stoli për afro 25 minuta, ku është parë të ngrihet në këmbë vetëm pas minutës së 70-të.

– Është duartrokitur pas largimit nga fusha e lojës mbrojtësi i djathtë Elmir Lekaj. Pavarësisht se e la Vllazninë në disavantazh, Lekaj ka marrë duartrokitjet e tifozërisë për paraqitjen në fushën e lojës.

– Reagon në mënyrën më të çuditshme të mundshme tifozëria ultras e Vllaznisë, grupimi “Power 12”. Ata kanë brohoritur për ekipin jashtë stadiumit, duke pritur daljen e çdo lojtari të skuadrës së tyre me brohoritje dhe duke treguar në këto momente se kuqeblutë nuk janë vetëm. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe me Jonuzin, i cili ka hyrë mes tyre, duke u përqafuar me ta, pavarësisht se vetë numri një i pankinës shkodrane ishte tejet i mërzitur.

– Vazhdon tersi i zhvillimit të takimeve nën dritën e projektorëve. Vllaznia këtë sezon të tria takimet që ka zhvilluar në fushën e saj nën dritën e projektorëve nuk ka arritur të marrë minimalisht asnjë pikë. Ajo ka humbur ndaj Tiranës, Partizanit dhe kësaj here edhe ndaj Bylisit. Vetë trajneri Jonuz në daljen e tij para mediave me humor dhe ironi ka theksuar: “Nuk do të pranoj më që të luajmë me drita. Tri herë kemi luajtur me drita, të tria herët kemi humbur”.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"