PIKANTE/ “Vetëm në Korçë fitohen trofe”, korçarët thumbojnë Dajën. Shehi ideoi golin e Bregut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2018 | 23:47

PIKANTE/ “Vetëm në Korçë fitohen trofe”, korçarët thumbojnë Dajën. Shehi ideoi golin e Bregut

Skënderbeu-Flamurtari prodhoi gjithçka, lojë të bukur, gola, kontestime, por edhe ngacmime. Ilir Daja rikthehej në Korçë për të parën herë që pas largimit dhe, dashur pa dashur, çka e ka bërë këtë takim më shumë se special jo vetëm për trajnerin, por edhe tifozët. Madje, këta të fundit nuk kanë ngurruar që ta ngacmojnë me ndonjë batutë. Por jo gjithçka shkoi kaq “vaj”, pasi pati edhe ndalesa loje për fyerjet në kor apo edhe këshilla para momentit të golit. Këto edhe të tjera, ishin ato që nuk u panë dje në televizion.

Daja

– Flamurtari “zgjon” Korçën. Interesi për ndeshjen e djeshme ishte tejet i madh, ndërsa me tribunat qendrore të tejmbushura dhe me praninë e tifozëve të tjerë në karshi, numri i spektatorëve ishte në afro 4000 mijë. Edhe pse temperaturat ishin ulur ndjeshëm në qytetin juglindor, sportdashësit nuk e humbën shansin që të shijonin këtë 90-minutësh emocionues.

– Ndeshja ka nisur me çmime. Para se të niste loja, mesfushori Gjergji Muzaka u vlerësua si “Lojtar i Muajit”.

– Tribuna VIP ishte e tejmbushur, ndërsa nuk kishin si të mungonin krerët e të dyja klubeve. Presidenti Ardjan Takaj ishte i shoqëruar nga zv.presidenti Arlind Broshku dhe kryebashkiaku Sotiraq Filo, teksa pranë tij qëndronte edhe administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi. Të dy numrat një të ekipeve respektive e ndoqën nën shoqërinë e njëri-tjetrit këtë takim mes emocionesh dhe vuajtjesh për rezultatin final të kësaj ndeshjeje.

– Ka ofendime nga tifozët që ndodhen në karshi, drejtuar Idriz Bathës. Rivaliteti i kohës kur lojtari luante te Partizani nuk është harruar nga korçarët. Ata e kaluan masën me fyerje, gjë që detyroi arbitrin që jo vetëm të ndalë lojën, por t’i kërkojë kapitenit Radas që t’i drejtohej tribunës për t’i qetësuar.

– Goran Siljanovski merr karton të verdhë dhe humb ndeshjen e radhës me Partizanin.

– E 59-ta minutë dhe arbitri ka probleme me aparatin e komunikimit, shkon tek i katërti për ta rregulluar. – Ishte e fundit minutë e shtesës dhe në fushë hidhet një top për të vonuar lojën.

– Franc Veliu feston 30-vjetorin, por në fund nuk mori dhuratën që priste nga ekipi, pasi humbën në Korçë.

– Ilir Daja ishte “miku-armik” në ndeshjen e djeshme. Trajneri para se të niste loja takoi të gjithë lojtarët e Skënderbeut, me të cilët fitoi gjithçka në sezonin e kaluar dhe më pas të gjithë anëtarët e stafit teknik. Por nuk harroi as gazetarët.

-Fillimi i takimit la mënjanë miqësitë dhe gjithçka ishte e përqendruar te ndeshja, atje ku dy ekipet kërkonin të mësonin më shumë rreth njëra-tjetrës dhe nuk guxonin të merrnin përsipër shumë në fillim të takimit. I pari që e bën këtë është Flamurtari, i cili për thuajse gjithë pjesën e parë ushtron presion në portën e Aldo Teqjes. Ilir Daja udhëheq të tijtë herë pas here, ndërsa Orges Shehi nuk le rast pa u dhënë udhëzime lojtarëve.

– Lëvizja e bardhekuqve ndryshe nga herët e tjera ka qenë me Bregun më shumë e detyruar sesa e gjetur nga stafi bardhekuq. Bregu ishte kaluar në të djathtë të sulmit, me qëllim që të shmangte sa më shumë kontaktin me këmbën e majtë që kishte shenja dhimbjeje në fillim të saj. Por me kalimin e minutave, këmba u qetësua dhe Bregu filloi të lëvizte më shumë në fushë, në të dy linjat e saj.

– Në pankinën e Flamurtarit, Ilir Daja nuk e kishte harruar zakonin e vjetër, teksa që në minutat e para, tre lojtarë u ngritën për të kryer nxehmjen. Në këtë moment nuk munguan ngacmimet nga tribuna për trajnerin e vlonjatëve. “Profesor, nuk të shkon asgjë, t’i dimë mirë zakonet, kot e ke”, batutë e tifozëve që u shoqërua me buzëqeshje nga numri një i pankinës së Flamurtarit.

– Në anën tjetër, Dita provon të bëjë trajnerin në fushë, teksa pas disa pasaktësish të Demtes, i kthehet i revoltuar, duke i kërkuar llogari. Kjo duket se i ka dhënë më shumë ritëm lojës së etiopianit që është përmirësuar nga minuta në minuta.

– Në pjesën e dytë Skënderbeu kontrollonte lojën, ndërsa Daja kërkonte nga të tijtë të dilnin në lojë. Batutat nuk reshtën në këtë moment nga tifozët. “Thojini këtij Dajës, nuk ka trofe nëse nuk qëndron në Korçë”.

– Kur gjithçka po i vinte fundit dhe barazimi dukej se do të ishte rezultati i këtij takimi më të rëndësishëm të javës, gjithçka ndryshoi. Një tjetër thirrje e Shehit që lajmëron Vangjelin për lëvizjen e Bregut dhe korçari nuk heziton, top i gjatë dhe 1-0. Një tjetër udhëzim i vyer nga kryepankina që Vangjeli e falënderon me një përqafim të zjarrtë.

– Në fund të takimit ka festë në Korçë për fitoren dhe rikthimin te fitorja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"