PIKANTE/ Vëllai i Qarrit provokon Skënderbeun: Vitin tjetër do luani me Mamurrasin. Shehi “nuhat” golin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2018 | 23:22

PIKANTE/ Vëllai i Qarrit provokon Skënderbeun: Vitin tjetër do luani me Mamurrasin. Shehi “nuhat” golin

-Shumë pak tifozë në stadium. Skënderbeu rikthehet në Korçë pas ndërprerjes së kampionatit, por në tribuna ishin vetëm 1500 të pranishëm. Orari i shpejtë dhe ndoshta ulja e temperaturave kanë ndikuar në zbehjen e interesit.

– “Ujqërit e Dëborës” nuk ishin në shkallët e stadiumit dje dhe mungesa e tyre, veç kureshtjes që krijoi, bëri që atmosfera të ishte e vakët. Nuk dihen ende arsyet që kanë çuar tifo-grupin drejt “bojkotimit” të ndeshjes, pasi akoma nuk kanë dhënë një qëndrim të tyrin.

-Presidenti Ardjan Takaj ka qenë gjatë pjesës së parë përkrah zv.presidentit Arlind Broshku dhe homologut të tij Naim Qarri. Por, gjatë pjesës së dytë ka zgjedhur që ta shohë nga dhoma VIP në tribunën qendrore, për shkak të motit të ftohtë në Korçë.

skenderbeu kamza

– Veç drejtuesve të të dyja klubeve, në tribunë binte sy edhe prezenca e gazetarit investigativ, Artan Hoxha, i veshur me uniformën e Skënderbeut.

-Orges Shehi në ndeshjen e djeshme hoqi dorë nga kostumi dhe u pa i veshur me uniformë sportive. Edhe pse ndryshoi “look”, shfaqi hapur karakterin e tij ekspresiv në 90 minuta, duke shoqëruar çdo aksion të Skënderbeut me gjestikulacione.

-E veçanta ka ndodhur në momentin e golit të parë të Skënderbeut. Ka qenë Shehi që, sapo Vangjeli ra në kontakt me topin, ka kërkuar nga Xhon të shkojë në thellësi. Mbrojtësi e ka dëgjuar dhe nisi menjëherë atë harkim të gjatë, prej nga erdhi edhe avantazhi. Pikërisht edhe festa ishte e dy protagonistëve, Vangjelit dhe Shehit që nuk ngurruar të përqafoheshin.

– Goli qetëson korçarët, por jo trajnerin që vijon të japë këshilla për të tijtë. Me radhë afër Shehit në momente të ndryshme afrohen të gjithë, duke nisur nga Abazi, Dita, Demte, Guedj, të cilët marrin udhëzimet përkatëse nga numri një i pankinës korçare.

– Në kampin tjetër, Klodian Duro ishte i qetë në fillim të lojës, por pas penalltisë së humbur nga Plaku nisi të ankohet me të gjithë. Kjo solli edhe reagimin e tifozëve që ndodheshin në tribunën pas pankinës së trajnerit të Kamzës, që i kërkonin vazhdimisht që të qetësohet. “Duro, qetësohu se në fund të fundit trajner i Kamzës je”.

-Dejvi Bregu është ndierë i sulmuar këto kohë, ndoshta edhe prej tifozëve. Të paktën këtë dëshmoi me festën pas golit, ndërsa priste që t’u dëgjonte zërin të pranishëmve në stadium.

-Pas pësimit të golit të dytë, vëllai i Naim Qarrit bëhet protagonist i minutave të fundit të takimit. Ai nuk kursen fjalorin banal karshi Klodian Duros dhe Sebino Plakut në veçanti, të cilin e fajëson për penalltinë e humbur. Ofendimet vijojnë përgjatë gjithë korridorit të stadiumit e deri sa shkoi tek automjeti i tij, duke sharë me vete të gjithë “fajtorët” te Kamza.

VELLAI I QARRIT

-Ka mjaftuar vetëm një ngacmim në fund të ndeshjes nga një tifoz i Skënderbeut, që vëllai i Naim Qarrit t’i kthehet keq: “Mos u mërzisni, se as ju nuk jeni më mirë. Me këtë ekip që keni, jeni copë-copë. Vitin tjetër do luani me Mamurrasin”. Por tifozët njëzëri i janë përgjigjur: “Vendi i parë nuk bie nga kategoria, kujdes se vjet shpëtove për qime!”

-Arrabal “fal” Oto Xhonin. Edhe pse një përplasje sportive mes tyre për pak sa nuk përfundoi me një shkelm në fytyrë, braziliani i tha arbitrit: “Nuk ishte për karton”. Një sjellje prej profesionisti kjo e lojtarit të Kamzës. Në anën tjetër krejt ndryshe vepron Olsi Teqja. Mbrojtësi i Kamzës nuk denjon të respektonte “fair play”- in duke mos kthyer topin te lojtarët e Skënderbeut, që e kishin nxjerrë jashtë për dy futbollistë të dëmtuar në fushë. Kjo i kushtoi mbrojtësit një “lumë” ofendimesh nga tribunat, por edhe kritikash prej lojtarëve bardhekuq.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"