PIKANTE| Tirana-Vllaznia/ Lici tërbohet me Metën, Kobina i heq trurin Ahmatajt: Ku del ky…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 23:45

PIKANTE| Tirana-Vllaznia/ Lici tërbohet me Metën, Kobina i heq trurin Ahmatajt: Ku del ky…

Tirana dhe Vllaznia e mbyllën pa gola “derbin e Shqipërisë” ditën e djeshme, ndërkohë që “Panorama Sport” ju sjell momentet pikante nga sfida:

Erjon Hoxhallari dhe Agustin Torasa ishin në pistë, por si civilë. Lojtarët ishin të pezulluar për shkak të kartonëve të kuq të marrë në Durrës. Torasa madje kishte marrë në stadium edhe vajzën e vogël.

tirana vllaznia

Në stadium ishin të pranishëm mbi 100 tifozë, të kamufluar si gazetarë, ndërkohë që nga njerëzit e medias kishte shumë pak njerëz.

I pranishëm presidenti i bardhebluve, Refik Halili, dhe administratori i Vllaznisë, Suad Lici, si dhe Bledi Nallbani, Mario Morina, Shkëlqim Hajdari, Andi Lila.

Edhe një herë tjetër, Tirana ndërron pankinat, duke u ulur nga qyteti dhe jo nga liqeni si zakonisht, por fati nuk ishte me bardheblutë.

Edon Hasani del në fund të nxehjes, por nuk u shpëton batutave të shkodranëve të pankinës kuqeblu, që e prisnin më parë ta takonin.

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, e pa ndeshjen nga kafja e “Selman Strërmasit”. Trajneri për gjatë gjithë kohës komunikonte me stafin e tij në pankinë. Në fund të ndeshjes, Mirsad Jonuz nuk u lejua të shkonte në dhomat e zhveshjeve dhe të takonte lojtarët e tij, pasi ishte i dënuar. E kundërta me lojtarët e pezulluar të Tiranës që u futën në dhomat e zhveshjes. Në kushtin që Jonuz nuk u fut dot në dhomat e zhveshjes, maqedonasi u detyrua që të takonte të gjithë lojtarët jashtë ose nëpër kafe. E veçantë ishte ndalesa te braziliani Uenderson dhe Kale, të cilët ishin ulur bashkë para stadiumit dhe po bisedonin. Si fillim përqafoi lojtarin e tij, të cilin e detyroi të ngrihej në këmbë. Më pas këshilloi Kalenë që të luante më gjerë në fushë dhe jo të ngushtohej. Pak më vonë te Kale dhe Uenderson u afruan edhe Emerson e Hygor.

Tirana duket e karikuar në nxehje dhe ishte Idriz Batha ai që mobilizonte shokët. “Ja këtu, aty dhe ikën topi”.

Julian Ahmataj ishte i zhgënjyer në fund të takimit. Ai bisedoi shumë gjatë me Idriz Bathën dhe Kristi Vangjelin për takimin e djeshëm të barazuar me Vllazninë

Nuk kishte si të mos mungonin edhe batutat e Alban Berishës, i cili si fillim këshilloi gjithë lojtarët, ndërkohë që gjatë gjithë takimit me fjalë dhe gjestikulacione është munduar t’u japë zemër bardhebluve.

kobina

Një ndeshje më vete ka qenë ajo e Julian Ahmatajt. Si fillim emrat më shumë të lakuar gjatë ndeshjes kanë qenë Kobina, Çelhaka. Mbi 100 herë trajneri e ka zënë në gojë emrin e lojtarit afrikan.

“O Kobina, o Kobina”, “Close Kobina”, “Kobina pres”. Madje në një moment ulëret: “Ec Kobina”. Afrikani nuk e çan kokën dhe trajneri kthehet nga stoli i nevrikosur dhe u thotë: “Ku del ky, ku del ky”.

julian ahmataj

Këshilla pa fund edhe për Jurgen Çelhakën. “O Çelhake, njëri para dhe një prapa. O Çelhake duhet të lësh mesfushor Bathën e Kobinën, luaje shkurt topin”.

Në shënjestër edhe Majkëll Ngo, që për trajnerin nuk lëvizte mirë në fushë. “Jo para mbrojtësit, kthehu me fytyrë nga loja”, apo “Easy, hajde Ngo”. Nuk u shpëtojnë kritikave Ismajlgeci dhe Imami. “O Gec, mos ik pas topit. O Imam, O Imam (lojtari humb një top). Nuk ka problem”. Por Imami nuk shkon në qendër. “Ore, je keq”.

Trajneri ulërin në çdo goditje dënimi apo korne, ndërsa çon në ferr të gjithë sa herë gabojnë para porte. Kritikave të trajnerit nuk u shpëtoi as sulmuesi Halili që kishte humbur pozicion. “O Grent, ça do atje”, deklaroi trajneri i bardhebluve. Si regjisori i skuadrës, edhe Idriz Batha u kritikua dhe u këshillua. Në minutat e fundit Ahmataj shpërthen dhe u ulëret lojtarëve të tij. “Pse ulni kokën, sepse kam një orë që ju them sulmoni”.

Aq kaotike ka qenë skuadra bardheblu në fushë, saqë mbrojtja nuk po kuptonte se duhet të luante me tre. U desh një ulëritje e Edvan Bakajt dhe ardhja e Vangjelit te stoli që lojtarët e Tiranës të ndërronin modul.

Braziliani Hygor në fund të pjesës së dytë kapet me Halilin përse ky i fundit nuk respekton “Fair Play”-n, pasi Gilman Lika ishte i dëmtuar në fushë.

Eni Imami kritikon shokun e repartit, Ismajlgecin për një pas të ngecur: “O Marsel, bjeri më fort topit”.

Presidenti Refik Halili është larguar i fundit nga stadiumi. Dukshëm i mërzitur, numri një i bardhebluve ishte zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës.

Suad Lici ka qenë shumë i nervozuar me gjyqtarët e takimit dhe sidomos me kryesorin Kridens Meta. Drejtuesi i Vllaznisë është parë shumë i shqetësuar në tribunë me treshen e gjykimit, por sidomos me kryesorin, aq sa ai që e ka qetësuar ishte trajneri Mirsad Jonuz. Lici që ka ndjekur takimin nga stadiumi, ka kontestuar shumë nga vendimet e arbitrimit, që sipas tij, ishin në disfavor të Vllaznisë. Nervozizmin e tij administratori i Vllaznisë e shfaqi edhe para vëzhguesit dhe delegatit të takimit, por edhe në tribunën VIP. Numri një i skuadrës shkodrane ka qenë i papërmbajtur, teksa u ka thënë punonjësve të federatës që nuk duhet të tolerohen këto gjykime. Sipas Licit, Vllazninë janë duke e dëmtuar gjyqtarët dhe kjo është parë në sfidën e parë ndaj Tiranës dhe Partizanit. Të dyja takime të luajtura në Shkodër. Vllaznia është një nga skuadrat që nuk ka president, por administrohet nga bashkia. Në sfidën me Tiranën dhe Partizanin në “Loro Boriçi”, bardhebluve nuk u janë akorduar penallti që mund të ndryshonin fatin e ndeshjeve dhe për këtë qëllim drejtuesit e ekipit janë të nervozuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"