Pikante Tirana-Pogradeci/ Tymuese dhe vonesë prej ultrasve, Ze Maria shijon fitoren me fruta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2018 | 20:08

Pikante Tirana-Pogradeci/ Tymuese dhe vonesë prej ultrasve, Ze Maria shijon fitoren me fruta

– Pa mbërritur tifozët e Tiranës, në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” kishte më shumë forca policore sesa sportdashës pogradecarë.

– Ultrasit bardheblu janë futur në stadium 20 minuta pasi kishte filluar takimi, madje golin e parë të Ngoosë nuk e kanë parë.

– Në momentin që tifozët kryeqytetas u futën në stadium pati konfuzion, kjo pasi forcat e rendit kanë kryer një kontroll të imtësishëm dhe kanë ndaluar flakadanët të posedoheshin prej tyre.

– Kontrollit të forcave të rendit i kanë shpëtuar disa tymuese, të cilat janë hedhur pas porte nga tifozët miq në të 32-ën.

fanatics

– Tymi ka sjellë probleme me shikimin për disa futbollistë, por falë erës së lehtë që frynte në Pogradec, ajri u pastrua shpejt. Futbollistët pogradecarë kanë dashur që loja të ndërpritej për disa momente, por gjyqtari A.Beqiri, edhe pse vetë po lotonte, ka bërë shenjë që loja të rifillojë shpejt.

– Tifozët e Tiranës në kor pothuajse gjatë gjithë ndeshjes kanë qenë kundër presidentit të tyre. Ndërsa për të dëshmuar mbështetjen ndaj ekipit, në një baner shkruanin: “Pavarësisht se sa e madhe mund të jetë lufta, ne do të jemi gjithmonë”.

– Refik Halili ka qenë në tribunën qendrore me kryebashkiakun Eduard Kapri të Pogradecit. Ka pasur vetëm një shtrëngim duarsh në çastet e para dhe asgjë më shumë. Për asnjë moment presidenti i Tiranës, Refik Halili, nuk e ka kthyer shikimin nga tifozët.

– Pjesa e dytë ka filluar 3 minuta vonesë, kjo për faktin se një tifoz i Tiranës ka kaluar kangjellat e rrethimit dhe është ndalur pikërisht atje ku zhvillohet nxehmja e futbollistëve që do hynin në lojë dhe duket se gjithçka e kanë pasur me Grent Halilin këtë herë. Forcat e rendit kanë ndërhyrë dhe shumë shpejt gjithçka është normalizuar.

ze maria

– Në këto momente, trajneri Ze Maria e ka thirrur Halilin në pankinë dhe menjëherë e ka hedhur në fushën e lojës në minutën e 57-të.

– Kur Grent Halili shënoi golin e tretë për të tijtë, që erdhi në sekondat e fundit të shtesës, tifozët menjëherë kanë kthyer kurrizin dhe kanë filluar të dalin nga stadiumi.

– Pas përfundimit të ndeshjes, Ze Maria ka konsumuar fruta, më konkretisht banane, dhe madje është shprehur që po i shijojnë shumë.

– Tifozët e Tiranës janë shoqëruar nga forcat e rendit, duke i kaluar nga shëtitorja buzë liqenit në drejtim të kundërt nga lëvizi presidenti Halili dhe autobusi i futbollistëve.

– Tifozëria pogradecare për asnjë moment nuk ka reaguar, madje shumë tifozë vendës nuk kanë nguruar që me aparatet e tyre telefonikë të filmonin tifozët e Tiranës.

– Ze Maria nuk ka pushuar për asnjë sekondë, ndërsa zëri i tij i ka shoqëruar lojtarët në fushë. Megjithatë, pas golit të dytë u qetësua edhe braziliani. Ndërkohë që Fetollari i liqenorëve, daljet i kishte të pakta, madje vetëm në rastet kur kontestonte gjyqtarin.

– Një ndërhyje e Purës ndaj Sentamusë shoqërohet edhe me një shkelm. Ka përplasje, por me ndërhyrjen e gjyqtarëve kthehet qetësia.

– Mertkola debuton me Pogradecin. I riu zë vendin e Malit, i cili sikundër u komunikua kishte probleme. Dalja e gardianit shoqërohet me duartrokitje prej tifozëve në tribunën qendrore.

R.Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"