Pikante Tirana-Korabi / Josa ngatërron Moisen me…Edeh. Tifozët tallen me Zefin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2017 | 12:59

Pikante Tirana-Korabi / Josa ngatërron Moisen me…Edeh. Tifozët tallen me Zefin

– Jo më shumë se 200 tifozë të pranishëm në stadium. Në tribunat qendrore numëroheshin me duar, ndërsa diçka më tepër kishte në karshi, atje ku hyrja ishte falas. Përtej vullnetit të madh që u shfaq në rrjetet sociale për të mbështetur Tiranën në këto javë të fundit, dëshira me sa duket ishte vetëm… virtuale.

Josa

– U dha goditje dënimi në të 4-ën minutë dhe muri i Korabit u vendos pikërisht te kufijtë e zonës. Megjithatë, kryesori Cjapi e pa të arsyeshme që të shënonte një tjetër vijë, por këtë herë me spraj.

– Gvozdenoviç pret që Akuah të ushtrojë më shumë presing në mesfushë, ndaj në të 10-ën i thotë me tone të ngritura: “Ruben, kap topin”. Pas 4 minutash është Mirel Josa që ka këshilla për Merveilin, ndërsa anglisht i thotë: “Hapu”.

– Ka tension në të 23-ën, Edvan Bakaj, edhe pse në stol, bëhet protagonist. Çohet dhe debaton me Alfred Zefin. Kryesori nuk e kursen portierin dhe i tregon të verdhin. Kujtojmë që edhe në derbi ai mori të kuq, edhe pse ishte në pankinë.

Josa dhe ndihmesit

– Ishte e 25-ta minutë, kur Mirel Josa sheh një gabim në mesfushë dhe me të madhe bërtet “O Edeh!”. Por në fakt, sulmuesi ndodhej në zonën e vet dhe lojtari që po merrte kritikën ishte Moise.

– Sa shumë policë në stadium. Por kur stadiumi ishte thuajse bosh, nuk patën ndonjë punë të madhe, ndaj e shfrytëzuan këtë 90-minutësh për të folur me kolegët e tyre.

– Gabimi i Zefit te goli i parë i Tiranës, ndërsa Gilman Lika i “vodhi” topin mjeshtërisht, u shoqërua me ironi e batuta nga ata pak tifozë që ishin në karshi. Këta të fundit që prej të 74-ës minutë nuk u ndalën, ndërsa për çdo top të pasuar thoshin: “Hidhja Zefit” apo “Jepja Zefit”. Kur lojtari u ndërrua, në 78-ën konkretisht, në kor tifozët nisën “Zefi, Zefi”. Dhe lojtari u kthye duke i duartrokitur.

Tirana-Korabi, tifozet

 

– Nuk ka kohë për pushim për Tiranën. Bardheblutë sot pasdite do të zbresin në fushë për të përgatitur Skënderbeun. Seanca pritet të jetë me karakter rikuperues për titullarët, ndërsa pjesa tjetër do të vijojë punë normalisht.

– Asion Daja mungoi në fushë dje, megjithatë nuk mund të mos ishte i pranishëm në tribunë. Mesfushori ishte i grumbulluar për këtë ndeshje, megjithatë, në fund, u vendos që të mos ishte në pankinë, pasi nuk ishte gati për të luajtur. Gjithsesi, gjasat janë që ai të luajë në Korçë, por kjo mbetet për t’u konfirmuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"