Pikante Tirana-Kastrioti/ Jorgji praktikon italishten me Ze Marian, Taku “shfaqet” në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2018 | 21:20

Pikante Tirana-Kastrioti/ Jorgji praktikon italishten me Ze Marian, Taku “shfaqet” në stadium

Një stadium i boshatisur dhe një Tiranë që nuk feston aspak shpalljen kampione të Kategorisë së Parë. Shumë tension në lojë dhe tifozë që shajnë në kor Grecën, me Jorgjin që bie në tokë pas një përplasjeje në fushë. Të gjitha këto, dhe jo vetëm, ishin disa nga pikantet e sfidës së djeshme midis Tiranës dhe Kastriotit, të cilat serviren nëpërmjet “Panorama Sport”.

Jorgji

– Në stadium ishte një numër i paktë tifozësh, afro 1 mijë. Munguan “Tirona Fanatics”, por jo “Ultras Kastrioti”. Edhe pse të paktë në numër, ata mbështetën ekipin. Në stadium ishte i pranishëm edhe “Taku”, me një tifoz të Tiranës që mbante veshur fanellën e tij.

Taku

– Në tribunën ballore, atë E ishin një nunër shumë i paktë tifozësh dhe ato ishin më shumë femra.

– Në tribunën VIP nuk munguan presidentët e të dyja skuadrave, Refik Halili dhe Alban Vogli, të cilët e panë sfidën së bashku.

– Ultrasit e ardhur nga Kruja në disa momente të ndeshjes u kapën me lojtarin e Tiranës, Bedri Grecën, duke e ofenduar në kor. Ai ua “shpërbleu” me dy gola…

– Ndryshe nga ndeshjet e tjera, në sfidën e djeshme nuk ishte e pranishme zjarrfikësja, por vetëm ambulanca. – Ne minutën e 16-të, tekniku i Kastriotit, Samuel Nikaj, i afrohet anësorit të parë, Rudin Preça dhe diçka bisedojnë.

– Në minutën e 24-t ka një tension në lojë, ku pas një faulli në sulm të Sentamusë ndaj portierit Kuka, ky i fundit e godet me top. Tensionohet disi situata, por mbyllet me një të verdhë për portierin.

– Në të 26-ën, Nikaj ankohet për një faull të akorduar në dëm të skuadrës së tij te gjyqtari i katërt.

– Në të 28-ën, Ze Maria gati sa nuk hyn në fushë dhe i afrohet gjyqtarit të katërt për t’i tërhequr vëmendjen. Në këtë moment nga tribuna tifozët krutanë nuk kursyen edhe fyerjet. “Nxirreni jashtë atë”.

Jorgji Ze Maria

– Në minutën e 33-të është kryesori Jorgji që afrohet për t’i tërhequr vëmendjen Ze Marias, pas disa ankesave të këtij të fundit. Jorgji i drejtohet në gjuhën italiane: “Con calma”, me qetësi.

– Në minutën e 36-të, Hoxha kapet me Hoxhallarin pas një ndërhyrjeje dhe ngrihet duke iu hakërryer. Por, mbrojtësi me qetësi e përqafon, duke ia marrë zemrën me të mira. Tifozët nga shkallët e stadiumit shpërthejnë në ilaritet.

– Në të 53-ën, Tirana pretendon për penallti pas një ndërhyrjeje në zonë, por Jorgji vijon lojën. Në këtë moment ka protesta të shumta të kampit kryeqytetas, me pankinën që çohet në këmbë.

– Në të 62-ën, bëhet një ndërrim për Kastriotin, ku del Hussein dhe hyn Neziri. Ndërkohë, tabela e gjyqtarit të katërt ngatërron numrin e atij që hyn me atë që del.

Afrikanet e Tiranes

– Te goli i Grecës, ish-rektori i universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi, që njihet si tifoz i thekur i Tiranës, çohet në këmbë dhe përgëzon presidentin Halili, duke i dhënë dorën.

– Në minutën e 65-të, pas një aksioni në mesin e fush- ës, Bedri Graca përplaset me Enea Jorgjin dhe i bën “gjëmën”, pasi e rrëzon gjyqtarin e FIFA-s në tokë.

– Dy fëmijë të vegjël, tifozë të Kastriotit, përfitojnë nga neglizhenca e policisë dhe hipin në majë të tabelës elektronike që tregon orën dhe rezultatin.

– Në momentin e zëvendësimit, Greca, autori i dopietës së djeshme, mori duartrokitjet e të pranishmëve në shkallët e stadiumit. – Në momentin e medaljeve, Tirana e “snobon” ceremoninë dhe nuk feston aspak. Përsëritën skenën e para një jave, kur dolën fitues në Grupin B.

– FSHF e injoron si kompeticion, ndërsa mungonte presidenti Armand Duka, por edhe sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Ilir Shulku. Ai që e dorëzoi trofeun ishte vetëm Fatbardh Jera, anëtar i Komitetit Ekzekutiv.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"