Pikante/ Thahen për ujë, por tifozët shkatërrojnë stolat në Elbasan. Jashanica blen biletën para ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2018 | 23:29

Pikante/ Thahen për ujë, por tifozët shkatërrojnë stolat në Elbasan. Jashanica blen biletën para ndeshjes

Nga presidenti Ilir Meta që jep trofeun e kupës, ashtu siç paralajmëroi ekskluzivisht edhe “Panorama Sport”, te tifozët e Laçit që nuk “kursejnë” stolat e stadiumit. Gjyqtarët rrethohen nga policia për shkak të frikës së dhunës dhe me makinën e tyre që survejohej nga forcat e rendit në përfundim të ndeshjes. Bajram Jashanica rri në radhë për të marrë biletë, ndërsa Pashk Laska, pasi u hakërrehet arbitrave, përqafon Rexhinaldon. Të gjitha këto, por jo vetëm, ishin disa nga pikantet e sfidës së djeshme që sjell “Panorama Sport”.

skenderbeu laci

* Para startimit të ndeshjes, në biletari ishte edhe lojtari i Skënderbeut, Bajram Jashanica. Pasi mori biletat u akomodua në tribunën qendrore të stadiumit. Ndërkohë, edhe pse numri i tifozërise ishte i paktë, radhët para ndeshjes nuk munguan.

jashanica

* Në stadium u panë, përveç menaxherëve shqiptarë, edhe shumë të huaj. Lojtarë si Gavazaj, Xhejms, Uzuni etj., ishin në qendër të vëmendjes.

* Për tifozët e Laçit ka edhe më të fortë se Skënderbeu dhe këtë e treguan me anë të një banderole, në të cilën shkruhej: “Historinë e dini, ka edhe më të fortë sesa Skënderbeu!” Këtë shkrim e kishin shoqëruar edhe me foton e famshme nga filmi “Skënderbeu”, ku heroi ynë Kombëtar bënte mundje dore me bariun, i cili në fund ia hodhi dorën.

* Të preferuarit e tifozëve të Laçit ishin Redon Xhixha dhe Myrto Uzuni, të cilëve u kishin bërë edhe pankarta.

* Në minutën e 12-të, Vangjeli kapet me gjyqtarin e katërt, pasi po kërkonte të hynte në lojë.

* Në minutën e 22-të, Osmani kapet me kryesorin Hamiti, pas tij vijnë edhe futbollistët e tjerë. Në këtë moment nisin sharjet nga tifozët e Laçit ndaj Osmanit.

stolat-1

* Vëzhguesi Sokol Jareci, ndryshe nga sa bëjnë kolegët e tjerë që qëndrojnë në fushë, e pa ndeshjen nga tribuna për të vëzhguar më mirë gjyqtarët në fushë. Ai preferoi të ulej në tribunën e mediave.

* Një nga kameramanët kishte hipur në tabelën që tregon rezultatin për të filmuar. Një gjetje për ta filmuar ndeshjen në një kënd tjetër.

* Mungoi shërbimi katering në stadium dhe njerëzit u “thanë” për ujë.

* Tifozët e Laçit kishin ardhur të “armatosur” me vete, teksa shpeshherë gjatë ndeshjes hidhnin shashka.

* Në minutën e 64-të, kur u akordua penalltia për Skënderbeun, tifozët e Laçit nisën shkuljen e stolave për t’i hedhur në fushë. Përveç stolave, fluturuan edhe bidonët e ujit, disa edhe nga tribuna qendrore. E njëjta gjë ndodhi edhe në fundin e ndeshjes.

arbitrat

* Në fund të ndeshjes gjyqtarët rrethohen nga stjuartët dhe policia, për shkak të acarimit të kurbinasve. Për disa minuta qëndruan në mesin e fushës, ku hasën në fyerjet e presidentit Laska, të disa lojtarëve dhe drejtuesve kurbinas. Ky acarim erdhi më shumë për golin e anuluar në fundin e takimit. Shoqërohen në dhomat e zhveshjes me polici, si edhe kur dalin nga stadiumi, me makinën e tyre që survejohej nga policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"