Pikante Teuta-Skënderbeu / “O Daje, jepi ndonjë kërnackë Vangjelit se u tërbua”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2017 | 11:32

Pikante Teuta-Skënderbeu / “O Daje, jepi ndonjë kërnackë Vangjelit se u tërbua”

Pak tifozë, trajnerë të nervozuar me gjyqtarin, por edhe ngacmime mes miqsh. Teuta-Skënderbeu ishte një “fairplay” i vërtetë, ashtu siç ndodh gjithnjë në stadiumin e Durrësit. Për të mbështetur Skënderbeun kishin ardhur një grup tifozësh nga Korça, të cilët ofenduan disa herë në kor, duke bërë përshtypje tek të pranishmit e tjerë në stadium. “Panorama Sport” sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme.

Teuta-Skenderbeu

Irritimi – Në përfundim të pjesës së parë, trajneri i Teutës, Gugash Magani dhe ndihmësi i tij, Klodian Dervishi, janë parë të irrituar me kryesorin Xhaja për kartonin e kuq të dhënë ndaj Mustës. Magani ka shkuar deri afër rrethit të mesit të fushës për t’i kërkuar llogari arbitrit, pasi ka qenë i bindur se Musta nuk e meritonte të kuqin.

Presidenti – Edmond Hasanbelliu nuk ka lëvizur nga tribuna VIP edhe pas përfundimit të pjesës së parë. Presidenti i Teutës ka qenë i shqetësuar për rezultatin, teksa ka pritur më tepër nga skuadra e tij. Ai ka qenë i shoqëruar nga ish-sekretari i klubit durrsak, Artan Shyti, si dhe drejtori sportiv i klubit të Skënderbeut, Haris Fakiç.

Batutat – Gjatë ndeshjes ka pasur batuta të shumta nga tifozët durrsakë në drejtim të lojtarëve dhe trajnerit të Skënderbeut, Ilir Daja. “O Daje, jepi ndonjë kërnackë Vangjelit se u tërbua”, “O Xhaja çoje atë sinjorinën (për Muzakën) se na zuri gjumi. 5 minuta qëndroi vetëm shtrirë dhe ti jep katër shtesë. Matematikën e paske pasur sa ke numrin në tabelë”, ishin disa prej batutave nga tribuna.

skenderbeu

Trajnerët – Pas pësimit të golit, në rastet kur topi dilte në anësore pranë pankinës së durrsakëve, trajneri Magani, por edhe zv.trajneri Dervishi nuk ngurronin të vraponin për të rifutur topin në lojë. Ndërkohë, pas ndeshjes, Magani është përshëndetur me stafin e Skënderbeut, si dhe mbrojtësin Tefik Osmani, një ish i Teutës.

Salillari – Në momentin kur Ilir Daja po bëhej gati për të dalë në konferencë për shtyp, u mundua të rregullonte flokët. Këtu ndërhyri shefi i klubit të Teutës, Eduard Salillari, i cili i tha: “Liro, fitove dhe tani dashke të rregullosh edhe flokët. Hajd pra, vazhdo”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"