Pikante/ Sukaj apel shokëve: Mos e lëshoni lojën! Gjoka e përshëndet për super golin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2018 | 21:40

Pikante/ Sukaj apel shokëve: Mos e lëshoni lojën! Gjoka e përshëndet për super golin

Në ndeshjen e djeshme, vështirësia e takimit si dhe rasti i festës së Pashkëve, ka bërë që në “Loro Boriçi” të mos kishte më shumë sesa 500 të pranishëm. “Panorama Sport” sjell momentet pikante të takimit, ku ka rënë në sy gjesti “Fair Play” i Sukajt apo roli i tij prej lideri kundrejt shokëve të skuadrës kuqeblu.

*Shumë pak tifozë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Një numër që nuk i kalon 500 të pranishëm kanë ndjekur sfidën mes Vllaznisë dhe Lushnjës. Tifozëria shkodrane vazhdon të jetë e pakët në numër, pavarësisht se skuadra po tregon një rritje në lojë e rezultate.

vllaznia

*Ka qenë minuta e 6 e takimit pas shënimit të golit të parë kur kanë mbërritur edhe fjalët e para të tifozërisë shkodrane lidhur me ekipin lushnjar. “Luani, luani për Teutën, por e keni kot. Do të mundeni me gola”, kanë folur disa nga tifozët shkodranë të vendosur në tribunën qendrore të stadiumit “Loro Boriçi”.

*Ka qenë minuta e 33-të e takimit dhe Sukaj ka kërkuar një impenjim më të madh nga lojtarët e ekipit. Pas shënimit të golit të dytë, kuqeblutë kanë lëshuar jo pak në lojën e vet dhe për këtë sulmuesi u ka bërë apel shokëve: “Mos lëshoni! Çuna, na duhet edhe një gol”, këtë u ka kërkuar Sukaj shokëve.

*Një supergol i bomberit shkodran ka bërë që duartrokitjet e tifozërisë së pranishme në stadium të jenë të shumta dhe kanë vazhduar për disa çaste. Madje, edhe atëherë kur tekniku Gjoka ka përshëndetur Sukajn për golin e shënuar.

*Ka qenë minuta e 58-të e takimit, e ka qenë Sukaj që ka bërë një gjest që shikohet rrallë. Pavarësisht se gjyqtari kryesor akordoi një goditje nga këndi për shkodranët, pasi mendoi se topi u prek pas goditjes së Sukajt nga ana e Markut, ka qenë sulmuesi shkodran që i ka thënë vetë gjyqtarit se mbrojtësi mik nuk e kishte prekur topin, duke bërë që vendimi i gjyqtarit të kthehej pas.

*Sukaj nuk di të shënojë më pak se dy gola në një takim. Dje ai ka shënuar dy gola ndaj Lushnjës, por një gjë të tillë e ka bërë sërish ndaj verdhëjeshilëve në fazën e tretë e po ashtu, edhe ndaj ekipit të Flamurtarit. Bomberi ka shënuar tri dopieta me Vllazninë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"