Pikante Skënderbeu-Flamurtari/ Vangjeli dorëzon unazën, Gavazaj kapet me Muzakën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2018 | 22:07

Pikante Skënderbeu-Flamurtari/ Vangjeli dorëzon unazën, Gavazaj kapet me Muzakën

Takime të përzemërta para ndeshjes, debate për penalltinë, ndërrime që nuk priten mirë dhe largim dëshpërues i Takajt nga stadiumi. Skënderbeu-Flamurtari pati momente pikante, që “Panorama Sport” ia sjell lexuesit për atë që ndodhi gjatë 90 minutave të djeshme.

Sk2

DURO DHE SHEHI – Kanë qenë te Partizani, Besa dhe Skënderbeu së bashku. Madje, me korçarët kanë fituar titullin kampion në sezonin 2010-2011. Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, u takua përzemërsisht para ndeshjes me kapitenin e Skënderbeut, Orges Shehi. Batutat shoqëruan minutat e qëndrimit në pistë, kur ekipet po bënin nxehmje. Trajneri sfidoi Shehin, duke i thënë se do fitonte Flamurtari.

DEBATI – Ndodh edhe kështu. Në minutën e 29-të, kur Xhejms fitoi penalltinë, pati një debat në fushë mes Gavazajt dhe Muzakës. Ky i fundit mori topin për të ekzekutuar 11-metërshin. Kosovari kërkonte me insistim që ta gjuante, ndërsa Daja vendosi për Muzakën. Në këtë moment, Gavazaj është inatosur, duke shkelmuar topin. Ky gjest nuk është pritur mirë edhe nga tifozët që nisën të kontestonin.

SHIRITI – Si kapiten i Skënderbeut dje u shfaq Gjergji Muzaka, edhe pse në fushë nga minuta e parë ishte korçari Tefik Osmani. Gjatë këtij sezoni, përveç kapitenit të parë, Orges Shehi, shiritin e kanë mbajtur edhe Marko Radas, Sabjen Lilaj, Tefik Osmani dhe Kristi Vangjeli.

Muzaka dhe Danilo Alvesh

TAKAJ – Në tribunën qendrore ka qenë i pranishëm presidenti Ardjan Takaj, që në njërin krah ka pasur kryetarin e Bashkisë, Sotiraq Filo, ndërsa në krahun tjetër miqtë nga Vlora, me në krye Sokol Kushtën. Menjëherë pas përfundimit të takimit, Takaj u largua me shpejtësi, pa dashur të flasë për gazetarët. Jo vetëm humbja, por edhe situata që po kalon klubi, ka bërë që presidenti të përjetojë momente dëshpërimi.

SOUE – Në minutën e 76-të, sulmuesi Ali Soue u zëvendësua mes duartrokitjeve nga trajneri Daja. Mirëpo, gambiani nuk e priti mirë këtë zëvendësim me Krasniqin. Dukshëm fytyra e zhgënjeu, edhe pse nuk bëri ndonjë gjest. Menjëherë, sulmuesi shkoi në dhomat e zhveshjes.

Soue

TRAJNERËT – Ilir Daja dhe Shpëtim Duro janë parë të përqafuar pas ndeshjes. Trajneri i Skënderbeut ka uruar kolegun e tij për fitoren. Më pas, Daja është mbyllur në dhomat e zhveshjes dhe për disa minuta ka pirë cigare. Dukshëm ishte i mërzitur.

JORGJI – Në minutën e 93-të, Nimaga mundohet të japë një asist për Krasniqin, por Jorgji pengon aksionin. Në këtë moment tifozët irritohen, ndërsa arbitri kërkon falje. Në fakt, kryesori nga Elbasani rikthehej në Korçë si kryesor pas një viti. Për herë të fundit, ai ka qenë arbitër i katërt në ndeshjen që Skënderbeu luajti me Partizanin. Ofendimet e tifozëve nuk pushuan, jo vetëm për arbitrin, por më së shumti për ata që ultrasit i cilësojnë si armiq. Në kor është ofenduar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe.

Tifozet

UNAZA – Pas vetëm dy minutash në fushë, Vangjeli i është drejtuar gjyqtarit anësor, Emigers Ganxhi, duke i dhënë unazën. Ishte Jorgji që pikasi diçka të tillë, teksa i bëri me shenjë lojtarët ta hiqte dhe t’ia dorëzonte anë- sorit për ta marrë më pas në fundin e ndeshjes

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"