PIKANTE| Skënderbeu-Flamurtari/ Daja e ka me… Dajën, gjyqtari bën lëmsh zëvendësimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2020 | 21:45

PIKANTE| Skënderbeu-Flamurtari/ Daja e ka me… Dajën, gjyqtari bën lëmsh zëvendësimin

Në ndeshjen mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, trajnerët kanë qenë aktivë gjatë gjithë takimit. “Panorama Sport” sjell momentet pikante, teksa bie në sy ngatërresa nga arbitri i katërt, Roxhers Muska, me tabelën e zëvendësimeve.

Skenderbeu 1-0

* Në ndeshjen e vendeve të fundit të renditjes me Flamurtarin që mbyll tabelën e klasifikimit, të pakët kanë qenë edhe tifozët në shkallët e stadiumit. Më pak se 1000 tifozë kanë ndjekur ndeshjen e djeshme përballë Flamurtarit. Ndoshta dobësia e kundërshtarit ka larguar tifozët nga stadiumi në këtë takim.

* Edhe tribuna VIP ka qenë e boshatisur në pjesën më të madhe të saj. Kanë qenë shumë pak personalitete. Veç presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, që ka ndjekur takimin së bashku me Arlind Boshkun, mungonin pjesa tjetër. Flamurtari nuk ka pasur thuajse asnjë nga stafi drejtues, duke ardhur “jetim” në Korçë.

* Marselo Troisi ka qenë i qetë në stol gjatë gjithë ndeshjes deri në momentin e golit, duke justifikuar me gjeste dëmtimet e lojtarëve për vonesën e lojës sa herë që kishte kritika nga tribuna. Por pas shënimit të golit të Skënderbeut filloi të kërkonte lojë aktive në çdo moment, duke shoqëruar me buzëqeshje ironike “vonesat” e korçarëve.

Ilir Daja

* Trajneri Ilir Daja, dukshëm nuk ka qenë i kënaqur nga ky takim. Numri një i pankinës korçare u ka kërkuar llogari në çdo moment të tijve për rendimentin në lojë. Fillimisht është ndalur te Gripshi. Pas një faulli të marrë nga lojtari, Daja i është drejtuar: “Mos u anko për faullin, lësho topin më shpejt që të mos marrësh goditje të tilla”. Më pas kryepankina korçare u ndal edhe tek Asion Daja, duke i kërkuar përqendrim dhe ide të qartë në ndërtim të lojës.

* Arbitri i katërt nuk mund të shpëtonte pa gabuar gjatë ndeshjes së djeshme. Në momentin kur hyn Taipi në vend të Elezit, tabela elektronike ishte shkruar keq. Në vend të numrit 8 të Taipit ishte vendosur numri 9 i Krasniqit, që ishte në fushë. Detaj që askush nuk e vuri re. Madje, as arbitri i katërt që mbajti tabelën treguese dhe as gjyqtari kryesor i ndeshjes.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"