PIKANTE/ “Sikur ta dija që do humbte penalltinë”, Rexhinaldo në lot. Tifozët imitojnë arbitrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2018 | 23:50

PIKANTE/ “Sikur ta dija që do humbte penalltinë”, Rexhinaldo në lot. Tifozët imitojnë arbitrin

Rexhinaldo që përlotet dhe mbyll sytë duke mos ndjekur ndeshjen, Cungu që parandiente se sulmuesi do të humbiste penalltinë dhe tifozët “qershia mbi tortë” me imitimin e veprimeve të anësorit Ridigert Çokaj. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes së djeshme.

rexhinaldo qan

* Dhjetë minuta para fillimit të takimit, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka zbritur në pistën e stadiumit dhe ka takuar drejtorët Nderim Nexhipi, Ramadan Ndreu, si dhe trajnerin Armando Cungu. Nuk ka shpëtuar edhe një takim me delegatin e ndeshjes, Besnik Çela.

* Ndryshe nga ndeshjet e kaluara, tifozët e Tiranës kanë bojkotuar në masë takimin me Kukësin. Në tribunën D2 nuk kishte asnjë të pranishëm, ndërsa pjesa tjetër e tifozëve ishin përqendruar në sektorët F dhe E.

* Olsi Rama, drejtori i Partizanit, ishte i pranishëm në stadium për të ndjekur takimin e Tiranës. Edhe lojtarët që nuk ishin në fushë për arsye të ndryshme, duke filluar nga Rrumbullaku, Shameti dhe deri te Kërçiku e Turtulli, e ndoqën takimin nga tribuna qendrore.

* Portieri Frashëri, për gjatë gjithë kohës, kërkonte nga skuadra e tij që të mos bënin faull, ndërsa në pjesën e dytë i kërkoi stafit mjekësor një qese akull për ta mbajtur në kokë, sa herë që aksioni ishte në portën kundërshtare.

* Ardian Mema për gjatë 10 minutave të para të lojës e kishte me Dajën, të cilit i kërkonte të spostohej më përpara.

* Në minutën e 17-të tifozët e Tiranës fillojnë ankesat ndaj presidencës së Tiranës. Pas koreve të zakonshme, çdo tifoz nxori nga xhepi një poster të vogël me foton e censuruar të presidentit Halili në sfidën me Teutën. Duartrokitje në stadium, ndërsa tifozët posterat prej letre i bëjnë shuk dhe i hedhin në pistë, dhe i varin te hekurat e rrethimit, duke bërtitur: “Ti që ndërron 100 fytyra”.

tifozet kunder halilit

* Në një rivënie anësore, dy gjyqtarët e FIFA-s, Jorgji dhe Barushi, nuk merren vesh me njëri-tjetrin. Në fillim hezitojnë secili për të dhënë krahun. Më pas, Barushi ia jep në favor të Tiranës, ndërsa Jorgji e vulos për Kukësin, veprim që sjell ilaritet në stadium.

* Melo në pjesën e parë i numëron gjyqtarit Jorgji faullet që i ka shkaktuar Doka dhe kërkon karton të verdhë për veprimet e mbrojtësit të Tiranës. Gjithsesi, braziliani ra pre e nervozizmit dhe u ndëshkua dy minuta nga fundi me kartonin e dytë të verdhë, më pas të kuq.

* Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, fiksohet me Sentamunë që nuk kthente kokën nga stoli: “O Erando, foli atij Junusit”, i thotë Mema kapitenit.

* Një tifoz i Tiranës hyn në fushë për t’u zënë gjatë lojës me lojtarët, por kapet nga stjuartët dhe nxirret jashtë.

* Arturo Rexhinaldo, në momentin e ndërrimit në fillim të pjesës së dytë, duket qartë që e pret me lot zëvendësimin, duke kuptuar se ka gabuar në rastin e penalltisë. Gjithsesi, në stolin e Kukësit ka edhe që nuk e besojnë se sulmuesi po loton. “Sikur ta dija që do ta humbiste penalltinë”, u tha Cungu pjesëtarëve të stafit, pasi Rexhinaldo shpërdoroi 11-metërshin.

* Tifozët e Tiranës hedhin shishe me ujë në fushë, ndërsa Zguro i Kukësit e shfrytëzon për të pirë, duke sfiduar përkrahësit bardheblu.

* Gjatë lojës nuk munguan as grushtet mes vetë tifozëve bardheblu brenda në stadium. Gjithsesi, situata është qetësuar nga vetë tifozët, por sigurisht, pasi u shkëmbyen goxha grushte mes tifozëve.

* Një nga momentet më pikante në pjesën e dytë ishte kur një grup prej 20 tifozësh imitonin çdo lëvizje të anësorit Çokaj. Të qeshura pa fund nga tribuna qendrore. Një ide e “vjedhur” nga tifogrupe të huaja, por gjithsesi interesante.

O. Avdiaj


NDIQE LIVE "PANORAMA TV"