Pikante Shqipëri U21-Islandë U21/ Bare i ngre tonin Abazajt, Bushi gati të shtrihej në tokë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 22:05

Pikante Shqipëri U21-Islandë U21/ Bare i ngre tonin Abazajt, Bushi gati të shtrihej në tokë

Kristian Panuçi sheh nga afër kuqezinjtë e vegjël, Genc Tomori ka diçka për të sqaruar me Bardhin në pushimin e pjesës së parë dhe tifozët që kanë dëshirë të ulen në zonat e “ndaluara”. Këto, por jo vetëm, ishin disa nga pikantet e mbrëmjes së djeshme që nuk u panë në TV dhe sillen nga “Panorama Sport”.

fund

* Për t’i ndjekur nga afër Shpresat në këtë ndeshje ishte edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, i shoqëruar nga ndihmësi i tij, Ervin Bulku, si dhe nga e dashura, Samanta Tonji.

* Interesimi i medias për këtë ndeshje ka qenë shumë i vakët, teksa tribuna e gazetarëve ishte pothuajse e boshatisur.

* Duke qenë se bëhet fjalë për lojtarë të rinj në moshë, në tribunën e stadiumit “Elbasan Arena” nuk munguan as menaxherët. Nuk dihet nëse kanë piketuar ndonjë lojtar me atë që panë në fushë.

* Tribuna qendrore ishte e mbushur pothuajse plot, por nuk munguan tifozë edhe në atë ballore. Numri i tyre shkoi afërsisht në 3 mijë, edhe për faktin se hyrja ishte e lirë.

* Interesant mbetet fakti që në çdo ndeshje tifozët duan të ulen në zonat “e ndaluara”, asaj VIP dhe tribunës së gazetarëve.

* Trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi, u pa shumë impulsiv gjatë ndeshjes, teksa shumë herë iu tërhoq vëmendja edhe nga gjyqtari i katërt, për shkak se dilte jashtë vijave kufizuese të pankinës.

* Në minutën e 57-të, Bushi arriti kulmin e përjetimit të sfidës, teksa nuk po u besonte syve në rastin e humbur nga Abazaj. Gati u shtri në tokë nga dëshpërimi.

* Sa herë që topi luhej në zonën e islandezëve, portieri Selmani përfitonte që të bënte nxehmje në zonën e tij.

* Në pushim të pjesës së parë, Genc Tomorri u pa në shoqërinë e lojtarit të Partizanit, Jurgen Bardhi, i cili ishte në tribunë. Diçka po bisedohej midis tyre, me Tomorrin që herë-herë i ngrinte tonet.

* Kapiteni Bare ngre tonet ndaj Abazajt, pasi ky i fundit nuk i jep topin, por tenton goditjen personale në minutën e 66-të.

* Në fundin e lojës, kur doli me të kuq lojtari mik, tekniku i skuadrës islandeze nuk e përtypi dot këtë ndëshkim dhe shkoi të kërkonte llogari deri tek anësori për vendimin. Pas disa çasteve që qëndroi aty, u afrua gjyqtari i 4-t dhe e largoi për në pankinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"