Pikante/ Sherr në fushë pas golit të Alvesh, Olsi Rama shfryn në përfundim të takimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2018 | 19:15

Pikante/ Sherr në fushë pas golit të Alvesh, Olsi Rama shfryn në përfundim të takimit

-Pak minuta nga nisja e takimit të djeshëm, kur skuadrat kishin dalë në fushë, zëvendëstrajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, ka shkuar te pankina e Flamurtarit dhe ka takuar trajnerin Duro. Kujtojmë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur mes trajnerit vlonjat dhe trajnerit Starova.

-Ish-presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, rikthehet në stadium. Ai e ka ndjekur ndeshjen e djeshme në tribunën qendrore mes tifozëve. Po ashtu nga tribuna, takimi është ndjekur edhe nga ish-futbollistët e shquar, Sokol Kushta dhe Rapo Taho.

flamurtari

-Alesio Hyseni përfundoi dje në tribunë, ndërsa u tha se lojtari u huazua te Kamza, por i pyetur nga “Panorama Sport”, trajneri Duro ka mohuar gjithçka. “Jo, Hyseni nuk është huazuar, do të qëndrojë te Flamurtari”.

-Rreth 2800 tifozë ndoqën dje ndeshjen mes Flamurtarit dhe Partizanit, çka tregon se interesimi në drejtim të ekipit është rritur.

-Sulmuesi i Lacios, Tounkara, ndoqi dje ndeshjen e Kupës nga tribuna. Ai tërhoqi jo pak vëmendjen e tifozëve. “E patë, paska ardhur Baloteli në Vlorë”, u shprehen disa nga tifozët në stadium.

-Pas golit të Flamurtarit, tre tifozë janë futur në fushë për të festuar, por njëri prej tyre, adoleshent, fyen lojtarët e Partizanit. Këta të fundit nuk kanë duruar, por janë përleshur me tifozin, ku në sy bie edhe Trashi. Useini ndërhyn duke qetësuar situatën dhe më pas policia shoqëron jashtë stadiumit tifozin problematik.

-Pak sekonda përpara se të zëvendësohej, sulmuesit Alvesh i griset bluza në një dyluftim me një lojtar të Partizanit. Alvesh i kërkon ndërhyrje gjyqtarit duke i treguar bluzën e dëmtuar, por anësori vijon lojën.

bushic belica

-Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes mes Flamurtarit dhe Partizanit, Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, zbret në katin e parë, por nuk futet në dhomat e zhveshjes. Ai qëndron shumë pak nën shoqërinë e stafit të Partizanit, ndërsa është dëgjuar të ketë thënë: “Bobo, çfarë bëhet kështu!” dhe largohet i mërzitur. Me sa duket Rama e ka pasur me golin e Prognit që pretendohet të jetë anuluar.

-Dje pas ndeshjes, ekipi ka dalë në stërvitje. Nën drejtimin e ndihmësve të Duros, lojtarët kanë kryer një seancë të shkurtër me ushtrime fizike. Por gjysma e kësaj seance është kryer më errësirë, pasi janë fikur dritat e stadiumit dhe këtë moment lojtarët e kanë shfrytëzuar për vrapim të lehtë në errësirë të plotë. Por duket se lojtarët janë ankuar te zëvendëstrajneri Beqiri për këtë seancë pas ndeshjes. Ky i fundit ua komunikon një gjë të tillë bashkëshorteve të futbollistëve që po qëndronin në hollin e stadiumit. “Kam vërejtje nga futbollistët. Po më thonë të mos bëjmë më seancë pas ndeshjes sepse po prisni ju”.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"