PIKANTE/ Rexhinaldos i thyejnë hundën, Ngo kopjon Balotelin. Mema vë duart në kokë pas…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2019 | 22:40

PIKANTE/ Rexhinaldos i thyejnë hundën, Ngo kopjon Balotelin. Mema vë duart në kokë pas…

Safet Gjici nuk kursehet. Trofeu i fituar, do t’ua mbushë xhepat lojtarëve. Dhe shuma nuk është e vogël, por 50 milionë lekë të vjetër. Paratë do të shpërndahen në ditët e ardhshme.  kukesi fiton kupen

– Tribuna VIP e tejmbushur. Mesfushori i Partizanit, Ardit Hila, duke përfituar që finalja po luhej në qytetin e tij, nuk mungoi në stadium. Por jo vetëm, pasi ishte edhe Kristal Abazaj me Oltion Rapën.

– Prezentë ishin edhe familjarët e Ernest Gjokës, konkretisht bashkëshortja e tij Edit dhe vajza Dea, por edhe e bija e presidentit të Tiranës, Goldi Halili. Edhe gruaja e drejtorit të Kukësit, Nderim Nexhipi, nuk e humbi këtë duel, ashtu si partnerja e Frashërit.

– Gëzim Krasniqi me paterica në “Elbasan Arena”. Mbrojtësi u bë gati dy muaj që nuk luan.

– Arturo Rexhinaldo hyri në fushën e lojës së bashku me të birin, që nuk është as një vjeç.

– Imami ishte i vetmi i cili preku trofeun para nisjes së ndeshjes mes Kukësit dhe Tiranës.

– Nuk e këndojnë të gjithë himnin dhe përjashtim nuk bënin vetëm të huajt e të dyja skuadrave.

rexhinaldo

– Minuta e 6-të dhe Goxha bën të dytën gafë, pas rastit të golit dhe Mema drejtohet nga stafi kur thotë: “Si ka mundësi…?!”

– “Përveç ngjyrave të tua, asgjë tjetër n’bot”, parulla gjigante e tifozëve të Tiranës. “Fanatics” i kishin shtuar dekorit edhe flamuj me pamje të Arben Mingës.

– Gjoka shfryn në pankinë për lojtarët, pas rasteve të humbura: “Duan të na e plasin zemrën neve”.

– Eduart Rroca nuk del në fushë gjatë pjesës së dytë. Problemet me mesin e penalizojnë fantazistin që ta mbyllë finalen.

– Rexhilando thyen hundën në festën e golit pasi përplaset në krahun e Musollit. Del nga fusha në lot mozambikasi.

gjoka vajza

– Ishte e 92-ta minutë dhe Melo do ekzekutonte një goditje dënimi. Aty afrohet Doka dhe pa shkak i bie me kokë. Afrohet Dzaria dhe aty mbrojtësi i Tiranës e përplas me shpatull. Futen të gjithë lojtarët për të qetësuar këtë sherr. Numri 17 i bardhebluve merr direkt të verdhin, por Enea Jorgji u kursye.

– Tifozët invadojnë fushën e lojës menjëherë sapo mbyllet ndeshja. Përkrahësit thyejnë dyert e stadiumit dhe tre stjuartë e kanë të pamundur që ta mbajnë turmën e kuksianëve, që bëhen padronë të fushës dhe festojnë me lojtarët e Kukësit.

– Arturo Rexhinaldo merr trofeun e “Këpucës së Artë”. Ishte vetë presidenti i FSHF, Duka, që i dha këtë titull, pas 13 golave të shënuar në Kategorinë Superiore.

– Kukësi me dy kapitenë. Trofeun e marrin Ylli Shameti e Besar Musolli bashkërisht.

– Kur ekipi i Tiranës po bënte nxemjen, afrohet pranë tyre nga tribuna një tifoz i thekur i bardhebluve, Alban Berisha, duke u dhënë zemër: “Tirona, ju jeni më të mirët. I shkatërroni ata”.

– Tekniku i Tiranës, Ardian Mema, preferoi t’ua bënte vetë nxemjen para ndeshjes lojtarëve të tij, ndryshe nga sa ndodh zakonisht, pasi merret zv.trajneri me detyrat në nxemje. Gjatë lojës, Mema shpeshherë vinte duart në kokë për lojën që bënin të tijtë, ndërsa këshillohej shpesh me pankinën dhe zëvendësin e tij, Erjon Xhafën.

– “Ik nga Tirona Refik Halili”, ishin për një moment thirrjet e ultrasve bardheblu.

– Në fundin e pjesës së parë, Mema zëvendëson Goxhën nga loja. Ky i fundit del i mërzitur, madje nuk i jep as dorën Xhafajt, duke u ulur menjëherë i nervozuar në pankinë.

– Në stadium ishte edhe Julian Ahmataj, i cili përflitet si trajneri i ardhshëm i Tiranës.

– Majkëll Ngo “kopjon” Balotelin te shënimi i golit, duke preferuar të mos festojë, por të presë shokët thjesht ta përqafonin.

– Kur të gjithë lojtarët e Kukësit po ngjiteshin për të marrë medaljet dhe trofeun, portieri i dytë, Maurice Gomis, u hutua dhe po shkonte me shpejt te shokët e skuadrës. Mirëpo, nga nxitimi rrëshkiti dhe u rrëzua, por për fat nuk pati asgjë serioze.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"