PIKANTE/ Punëtori i stadiumit mbyll zyrtarët e FSHF-së, Kukësi si në “shtëpi”. Arbitri kujtohet për… Frashërin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2018 | 22:56

PIKANTE/ Punëtori i stadiumit mbyll zyrtarët e FSHF-së, Kukësi si në “shtëpi”. Arbitri kujtohet për… Frashërin

Kukësit i janë rikthyer tifozët në stadium, teksa prania e tyre në periferinë e Tiranës ka bërë që të ndihet atmosfera mbështetëse, krejt ndryshe nga Elbasani apo edhe Shkodra. “Panorama Sport” sjell momentet pikante të para takimit dhe gjatë tij, si në fushë, shkallët e stadiumit apo edhe dhomat e zhveshjes.

* ZYRTARËT – Si zakonisht para çdo ndeshjeje, delegati dhe vëzhguesi organizojnë mbledhjen paraprake me zyrtarët e klubeve. Mirëpo, gjatë kohës që ata po zhvillonin mbledhjen, përgjegjësi i stadiumit nuk e dinte se kishte njerëz brenda dhe e mbyll derën me çelës. Ata kanë kërkuar të dalin në përfundim të bisedës, por dera ishte e mbyllur. Për të njoftuar, kanë goditur derën metalike dhe është kërkuar ndihma për ta hapur. Ka ardhur më në fund ai që kishte çelësat, duke qetësuar situatën.

kukesi flamurtari

* ARBITRI- Gjatë paradites së djeshme është njoftuar gjyqtari Olsi Sokoli, i cili ka ardhur 35 minuta para fillimit të ndeshjes dhe është takuar me Blerim Zirin, duke marrë edhe detyrën e kryesorit.

* FANELLA – Në minutën e 13- të, kryesori Olsi Sokoli kujtohet për portierin kuksian që ka fanellë në ngjyrë të përafërt me ngjyrën e ekipit kundërshtar të Flamurtarit dhe kërkon ta ndërrojë. Fanella e dytë e Frashërit ishte me të njëjtën ngjyrë me arbitrat dhe prej tyre dallonte vetëm nga getat e bardha. Në momentin që po ndërronte uniformën portieri, Zguro nis lojën në ekzekutimin e një faulli, pa dijeni se në portë nuk kishte portier. Arbitri rikthen ekzekutimin.

* TIFOZËT – Grupi i tifozëve “armata e veriut”, ishte vërtet e “armatosur”, teksa ka hedhur gjatë ndeshjes disa kapsollë.

* “SHTËPIA” – Kukësi më në fund gjendet si në shtëpinë e tij, duke gjetur stadiumin e duhur për pjesëmarrjen e tifozëve, të cilët ishin rreth 2200 veta. Ata, gjatë gjithë kohës deri në pësimin e golit të dytë, kanë qenë të gjithë në këmbë në mbështetje të skuadrës. Nuk kanë munguar as rreth 71 kapsollë të hedhur në fushë dhe shishe uji, sidomos kur janë provokuar nga Alvesh.

* GOLI – Danilo Alvesh, në momentin e shënimit të golit të dytë, emocionet i ka ndarë me tifozët kuksianë, duke shkuar pranë tyre dhe i ka treguar parakrahun. Në këtë moment tifozët janë irrituar dhe kanë hedhur shishe uji kundër tij.

* GJICI – IDRIZI – Dy presidentët kanë qenë ngjitur me njëri-tjetrin në tribunën VIP. Gjici nuk e ka fikur për asnjë moment cigaren dhe ka tymosur gjatë gjithë ndeshjes. Në pushim është parë i tensionuar dhe janë vënë re të bërtiturat e tij, më pas ka zbritur te dhomat e zhveshjes. Idrizi ka qëndruar deri në fund, duke përshëndetur lojtarët për fitoren.

* TENSIONI – Në minutën e 86-të të takimit ka pasur tension në fushë. Vlonjatët u përplasën me kuksianët për shkak të një faulli të pretenduar nga verilindorët që arbitri nuk e dha. Sokoli afron Useinin dhe Shafik, të cilët nisën të konfrontoheshin dhe u tregon të dyve të verdhin. U desh ndërhyrja e trajnerit Cungu për t’i qetësuar dhe ndarë. Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"