Pikante Partizani-Maribor/ Ultrasit paqe me ekipin, Ibrahimi largohet i tronditur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2018 | 22:25

Pikante Partizani-Maribor/ Ultrasit paqe me ekipin, Ibrahimi largohet i tronditur

Takimi Partizani-Maribor u ndoq nga një numër i konsiderueshëm tifozësh, ku rreth 3 mijë ishin të pranishëm në stadium.

partiz

-Përveç familjarëve të lojtarëve, por edhe miqve të tyre dhe të drejtuesve, në tribun qendrore ishin të pranishëm edhe shumë ish-sportistë të Partizanit dhe futbollistë të skuadrave të ndryshme.

-Takimi u zhvillua në temperatura të larta, kryesisht pjesa e parë. Për shkak të kësaj, në mesin e dy pjesëve gjyqtarët e ndërprenë takimin duke u dhënë skuadrave, por edhe vetes, kohë që të freskohen për një minutë. Sllovenët nuk e patën për tup që në ndërprerjen e pjesës së parë afruan një kovë të madhe uji, ku lojtarët e përdorën për larë fytyrën dhe për t’u freskuar. Ndërsa të kuqtë u mjaftuan thjesht me pirjen e ujit, duke mos e përdorur kovën e tyre.

partizani1

-Në fund të pjesës së parë, kapiteni i Mariborit, Tavres, kryen një ndërhyrje të gabuar me bërryl në fytyrën e Kalarit, por gjyqtari francez mjaftohet thjesht me akordimin e faullit, jo me ndëshkimin me karton të verdhë. Në këtë moment dëgjohet thirrja ironike e tifozëve të kuq: Këta arbitrat francezë qenkan më keq se gjyqtarët tanë!

-Pjesa e dytë nis me probleme, pasi arbitrat dhe portieri Handanoviç pikasin një të çarë në rrjetën e portës sllovene, pas ndërhyrjes së arbitrave dhe një punonjësi të klubit të kuq, defekti riparohet dhe nis pjesa e dytë me një minutë vonesë.

-Ultrasit e kuq kishin ardhur të përgatitur në këtë takim, pasi i thumbuan tifozët miq, rreth 100 të pranishëm që kishin udhëtuar nga Sllovenia në mbështetje të ekipit. Me thirrje në anglisht dhe në gjuhen sllovene. Edhe miqtë u munduan të kundërpërgjigjeshin, por numri i pakët bënte që ata të mos dëgjoheshin.

-Pas një viti vihet paqja mes skuadrës dhe ultrasve të kuq. Ndonëse ekipi u mund 1-0 ndaj Mariborit, pas ndeshjes lojtarët e kuq kanë shkuar që të përshëndesin ultrasit e kuq, të cilët i kanë mirëpritur dhe duartrokitur. Madje për rreth dy minuta palët janë përshëndetur, duartrokitur dhe kanë kënduar së bashku, duke treguar se barrierat e vjetra mes palëve janë hequr.

-I vetmi që nuk ka marrë pjesë te festa e tifozëve ka qenë mbrojtësi Labinot Ibrahimi, i cili menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare ka shkuar direkt në dhomat e zhveshjes. Shkaka u bë e bërtitura e trajnerit Gega në minutën e 92-të ndaj tij, që lojtari nuk e përjetoi mirë. Dukej qartë që Ibrahimi ishte i tronditur ndaj ai preferoi të qetësohej në dhomën e zhveshjesh duke mos festuar me ultrasit, me të cilët gëzon një raport mjaft të mirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"