PIKANTE| Partizani-Laçi/ VAR dhe 16 minuta vonesë, ndeshja nis me 3 ambulanca

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2019 | 21:30

PIKANTE| Partizani-Laçi/ VAR dhe 16 minuta vonesë, ndeshja nis me 3 ambulanca

Nga “inaugurimi” i sistemit VAR deri te vonesa prej autoambulancës dhe Lerda “alla Murinjo”, të cilit i dedikohet edhe goli nga Asani. 

dhoma var elbasan

Pak tension në tribunë dhe batutat që nuk mungojnë nga ata tifozë të paktë që ndoqën këtë ndeshje. Të gjitha këto, dhe jo vetëm, ishin disa nga pikantet e mbrëmjes së djeshme në “Elbasan Arena”, të cilat serviren nga “Panorama Sport”.

VAR – Nisin provat për aplikimin e teknologjisë edhe në futbollin shqiptar, teksa në një nga studiot e medias u vendosën monitorët. Merrnin pjesë thuajse të gjithë gjyqtarët e Superiores me disa prej vëzhguesve. Enea Jorgji ishte “kryetari”, së bashku me Andi Koçin.

AMBULANCA – Ka pasur një kaos me autoambulancën, e cila ka ardhur me 13 minuta vonesë në stadium dhe loja ka startuar pas 16 minutash. Por, nisën të vinin njëra pas tjetrës plot tri autoambulanca, duke kryer një paradë në stadium. Në fund, mbeti vetëm njëra, pikërisht ajo që mbërriti më vonë nga të gjitha.

ambulancat elbasan

LERDA – Tekniku italian i Partizanit, Franko Lerda, në një moment nxori fletën dhe po mbante shënim. Me sa duket, trajneri ka pasur frikë mos e harronte dhe e mbajti shënim për t’ua komunikuar lojtarëve në pushim. Italiani u duk paksa edhe në versionin “Murinjo”, i cili shquhet për shënimet gjatë ndeshjes.

ASANI – Pasi festoi me të gjithë shokët e skuadrës golin ndaj Laçit, Asani u shkëput për t’iu drejtuar pankinës së kuqe. Gjatë ecjes drejtonte gishtin, me sa duket nga Lerda, sepse shkoi përqafoi trajnerin, si për të thënë që golin ia dedikon atij dhe çdo shkëndijë është shuar.

ISH-ët – Ardit Hila pa nga afër ish-skuadrën e tij, Partizanin, me të cilën u shpall kampion një vit më parë. Gjithashtu, nuk mungoi as Klevis Dalipi, me babain e tij, Kujtim Dalipin, edhe ky një ish i të kuqve në fundvitet ’70. Sigurisht, nuk mungoi as ish-kapiteni i të kuqve, Dorian Bylykbashi.

PRESIDENTËT – Si Gaz Demi dhe Pashk Laska ishin në stadium për të parë nga afër skuadrat e tyre, por e ndoqën takimin të veçuar. Demi, siç ka bërë zakonisht, nuk u akomodua në sektorin SuperVIP, duke qëndruar pak më poshtë. Në përfundim të pjesës së parë Laska zbriti poshtë te skuadra.

TIFOZËT – Numri i të pranishmëve në shkallët e stadiumit ka qenë shumë i paktë, diku tek afro 800 të pranishëm. Nuk mungoi as grupimi ultras i të kuqve “Guerrils”, të cilët e mbështetën gjatë gjithë ndeshjes skuadrën e tyre.

BATUTAT – Ndonjë tifoz i Laçit herë pas here shprehte ndonjë pakënaqësi ndaj arbitrit kryesor, ku njëri prej tyre lëshon edhe një batutë. “O arbitër, ke rënë shumë në sy, jepe një faull për Laçin”.

PRETENDIMI – Në minutën e 62-të Partizani pretendon për një penallti, pas goditjes së Asanit dhe devijimit të Ignjatoviçit. Lojtari i Laçit e bën me shenjë, duke mbajtur duart të kryqëzuara, ndërsa Lerda me stolin e kuq ankohen, sepse mendojnë se sfera u prek me dorë.

TENSIONI – Në tribunën qendrore pati tifozë nga të dyja ekipet, të cilët gjatë gjithë kohës përkrahën skuadrat e tyre. Mirëpo, në minutën e 64-t pati një debat verbal midis dy tifozëve, por me ndërhyrjen e të tjerëve u shua gjithçka shumë shpejt.

NGATËRRESA – Në momentin e zëvendësimit, kur do të aktivizohej Romero për Asanin, gjyqtari i katërt nxjerr tabelën për të dalë nga loja Solomonin, i sapofutur. Gjithsesi, edhe me “ndihmën” e publikut e kupton gabimin, ndërkohë që Asani del mes duartrokitjeve.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"