Pikante Partizani-Kukësi/ Tërbohet tribuna VIP, breshëri shishesh gjyqtarëve. Policia bllokon Starovën
-Takimi Partizani-Kukësi mendua se do të rikthente tifozët në stadium, por ultrasit janë ndier të prerë në besë dje, pasi akordi për mosparaqitjen e kartave të identitet në hyrje nuk u zbatua.
– Reshjet e shiut e shoqëruan gjithë takimin dhe njëfarë mënyre u bënë pengesë për praninë e tifozëve, por edhe mbarëvajtjen e ndeshjes në fushën e lojës, pasi terreni sa vinte dhe rëndohej.
-Lojtarët e pezulluar të Partizanit, Batha, Trashi dhe Progni, por edhe të dëmtuarit e ndoqën takimin nga tribuna e tifozëve. Të pranishëm ishin edhe lojtarë të ekipeve të tjera, ku nuk mungoi dhe prania e Relado Filit, i larguar nga Partizani te Kamza, i cili dukej qartë se ishte në mbështetje të “demave”.
-Pa u ndier vërshëllima e startit e gjyqtarit Meta, ata pak tifozë që ishin në tribunë përballë nisën të ofendonin Elis Bakajn.
– Punëtori legjendar i Partizanit, Bajram Ferra, duke parë mungesën e tifozëve, u mundua që të karikonte ekipin me thirrjet e tij nga shkallët e tribunës qendrore.
– Që në minutat e para, tifozët e kuptuan se gjyqtarët i kishin kundër, pasi sipas tyre e tillë ishte sjellja e “xhaketave të zeza”. Tifozët në trajtë batute herë pas here hidhnin mallkime ndaj gjyqtarëve.
-Në minutën e 35-të, gjyqtari Meta ndërpret lojën, pasi kishte probleme me këpucët dhe iu desh që të merrej me ato.
– Gjatë ndeshjes së djeshme nuk munguan edhe “trajnerët tifozë” të Partizanit, që nga shkallët jepnin direktiva për lojtarët se si duhet të vepronin në fushë.
-Në minutën e 38-të, Bakaj i kërkon llogari në fushë Rustem Hoxhës për një faull të shkaktuar afër zonës së Kukësit. Mbrojtësi ia kthen me nervozizëm shokut të tij të skuadrës.
– Ndërhyrja e gabuar që shkaktoi Guri ndaj Sulejmanit, por e pandëshkuar nga gjyqtari, solli nervozizëm në pankinën e kuqe, por edhe te tifozët, të cilët shpërthyen në ofendime ndaj gjyqtarit dhe federatës. Me humor njëri nga ata kërkon falje: Të na falin për fjalorin ata që kanë ardhur me gratë.
– Klevis Dalipi e ka ndjekur gjatë gjithë kohës në këmbë takimin, ku ka udhë- zuar çdo moment lojtarët. Ndërsa Pakult, për herë të parë, ka dalë nga pankina në minutën e 60-të.
-Pas golit të dytë të Kukësit kanë shpërthyer drejtuesit e Partizanit në pankinë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, për shkak të nivelit të gjykimit dhe u kërkon llogari atyre për veprimet e arbitrave.
– Ofendimi me gisht i Bakajt ndaj tifozëve në momentin e zëvendësimit ka sjellë shpërthimin e të kuqve. Në momentin që u largua me karton të kuq dhe Bakaj po u drejtohej dhomave të zhveshjes, nuk munguan shishet me ujë në drejtim të tij. Por, në hyrje të tunelit, ai është ndaluar edhe nga drejtori i kuq, pasi ai vijoi t’i shante dhe kërcënonte tifozët. Olsi Rama e kap nga krahu dhe diçka i thotë Bakajt.
-Vërshëllima përfundimtare ka sjellë një shfrenim te tribuna qendrore, kryesisht te zona VIP. Në momentin që gjyqtarët po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes, një breshëri shishesh kanë vërshuar në drejtim të arbitrave. Shishet më të shumta u hodhën nga tribuna VIP.
– Fundi i ndeshjes është shoqëruar me tension të lartë në korridorin e dhomave të zhveshjes. Forcat e rendit nuk linin drejtues dhe lojtarë të të dy kampeve që të shkonin pranë ekipeve. Madje, trajneri Starova ka debatuar gjatë, pasi nuk u lejua të shkonte tek ekipi. Edhe picat e porositura nga Kukësi pas ndeshjes shkuan me vonesë te lojtarët, për shkak të shtetrrethimit të vendosur nga forcat e rendit dhe sigurisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"