Pikante Partizani-Kamza/ Nga bojkoti i ultrasve, tek batuta ndaj federatës për topin e çarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2018 | 20:15

Pikante Partizani-Kamza/ Nga bojkoti i ultrasve, tek batuta ndaj federatës për topin e çarë

Derbi Partizani-Kamza u zhvillua me një prani të pakët të tifozëve në stadium. “Ultras Guerrils” e ka bojkotuar edhe dje, pasi policia nuk lëshon “pe”, që tifozët të paraqesin kartën e identitetit në hyrje të stadiumit. Me ndalimin e ultrasve, duket se edhe klubet janë pajtuar, pasi në mënyrë indirekte ata heqin qafe zërat kundër.

-Tribuna VIP ka qenë e mbushur, ku përveç përfaqësuesve të dy klubeve, të pranishëm ishin edhe figura të tjera të sportit dhe politikës. Në fillim të takimit nuk ka munguar edhe komunikimi dhe shkëmbimi i batutave mes dy presidentëve të klubeve, Demi dhe Qarri.

partizanikamza

– Në minutën e tretë të ndeshjes, gjyqtari akordon një goditje dënimi për Kamzën, Por gjyqtari insistoi që Zguro ta gjuante në vendin e duhur. Në shenjë ironie, Zguro merr topin në dorë dhe i thotë gjyqtarit të katër që ta gjuante topin jashtë vijës anësore.

– Një minutë para shënimit të golit të parë të Partizanit, topi përfundon në rrethimin e brendshëm të stadiumit. Një nga mbështetësit e kuq lë karrigen, merr topin dhe ia hedh Trashit që ta vërë në lojë. Por, nuk vonoi dhe erdhi goli, që për disa ia atribuuan asistit fatsjellës të tifozit që “bekoi” topin kur e hodhi te Trashi.

-Në minutën e 17-të çahet topi dhe Idrizaj ndërpret aksion dhe kërkon ndërrimin e tij. Në këtë moment nuk mungoi edhe batuta e një tifozi: “Këta janë topat cilësorë të federatës”.

partizani kamza

-Trajneri Ramadan Nderu ka qenë shumë impulsiv në ndeshjen e djeshme, të cilën e ka ndjekur në këmbë duke udhëzuar dhe kërkuar llogari ndaj të tijve për veprimet që kryenin në fushë.

-Derbin më të ri të kryeqytetit e kanë ndjekur nga tribuna edhe trajneri i Tiranës, Ze Maria.

-Takimi i djeshëm u gjykua nga gjyqtari Andi Koçi, i cili çaloi vetëm në dhënien e kartonëve. Nëse do të kishte qenë i ashpër, kartonët e verdhë do të ishin më shumë se tre, pasi kaq i meritoi vetëm Zguro, i cili nuk mori asnjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"