PIKANTE| Partizani-Bylis/ Trashi e gdhin në spital, tifozët e kuq refuzojnë lojtarët në fund. Ja çfarë nuk u pah në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2020 | 23:26

PIKANTE| Partizani-Bylis/ Trashi e gdhin në spital, tifozët e kuq refuzojnë lojtarët në fund. Ja çfarë nuk u pah në TV

Partizani-Bylis u zhvillua në stadiumin “Air Albania”, ku 24 orë më herët ishte luajtur takimi tjetër mes Kukësit dhe Tiranës. Në përgjithësi terreni ia doli, problemet dolën në pah kryesisht te zona e portës nga krahu i tribunës “Vasillaq Zëri”, ku ngrihen plisat e fushës gjatë ndeshjes. Stadiumi i ri është kthyer në makth për “demat”, pasi në tri ndeshje që kanë luajtur aty, kanë marrë vetëm një pikë, pikërisht dje ndaj Bylisit.

pARTIZANI

– Bruno Telushi ka sakrifikuar për të luajtur dje, pasi dëmtimi që pësoi gjatë javës në stërvitje bëri që ai të luajë me hematomë.

Telushi kemb (1)

Telushi45 (1)

-Pas shënimit të golit të parë, tifozët e kuq përgëzuan portierin e Bylisit Isli Hidi, pasi nga pakujdesia e tij në largimin e topit të kuqtë kaluan në avantazh. “Bravo Isli”, “Bravo Hidi” ishin thirrjet e tifozëve të kuq në tribunën qendrore.

– Minuta e tetë e ndeshjes. Melo ankohet te gjyqtari për një goditje me krah nga ana e portierit të Bylisit, kur ai po sulmonte një top të gjatë të dhënë nga mesfusha për brazilianin.

– Minuta 21: Kalari u bën thirrje lojtarëve nga pankina që të dalin përpara, pasi janë tërhequr shumë në fushën e tyre.

lorenc trashi

-Minuta 26. Pas krosimit të një topi nga Murataj në zonën e Partizanit nga këndi, portieri Hoxha del për të larguar “sferën”, por përplaset edhe me Trashin. Të dy lojtarët bien në fushë të dëmtuar. Në këtë rast ka solidaritet nga stafi mjekësor i Bylisit ku mjeku i tyre shkon për të dhënë ndihmën e tij dhe më shumë u mor me kapitenin Hoxha, pasi e kishte më të lehtë lëndimin. Ndërsa Trashi nuk ia doli dot të rikthehej në fushë, madje menjëherë i është drejtuar spitalit pasi goditja në kokë ishte problematike. Në lidhje me situatën e mbrojtësit, zëdhënësi për mediat i klubit, Olsi Ranxhi, për “Panorama Sport” sqaroi: “Trashi si pasojë e një goditjeje që mori në ndeshje, fillimisht ka marrë ndihmën e parë nga stafi mjekësor i ekipit dhe më pas është dërguar me urgjencë në spital. Aty i janë bërë ekzaminimet e nevojshme dhe po mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve. Gjendja e tij është e stabilizuar. Ditët në vijim do vendoset për rikthimin në fushën e blertë, kjo në varësi të ecurisë së tij”.

-Minuta 28. Nga stafi mjekësor jepet sinjali se Trashi nuk ia del dot. Në këtë moment trajneri Sormani urdhëron Brojën që të pozicionohet si mbrojtës i majtë.

-Minuta 30. Solomon gabon në mbajtjen e topit në gjysmëfushën e Partizanit, pranë zonës, dhe në këtë moment përfiton Murataj që kroson dhe Ntepe shënon gol. Ky veprim i sulmuesit e ka nxehur jashtë mase trajnerin Sormani, ku nga nervat ka hyrë edhe në fushë duke i bërtitur sulmuesit nigerian pasi ishte shkaktari i pësimit të golit. Në këtë moment Sormani i kërkon stafit që të nxitojë me zëvendësimin e Trashit, pasi vijonin të ishin me 10 vetë në fushë, sepse u gjetën të papërgatitur për të bërë ndërrimin e parë para kohe.

-Minuta 37. Tifozë të Bylisit, të cilët kishin udhëtuar nga Ballshi për të mbështetur ekipin hedhin shishe në drejtim të Çinarit, kur po bëhej gati të gjuante një goditje këndi.

– Theofilus Solomon ka qenë ndër më të kontestuarit dhe shpeshherë tifozët shfaqën pakënaqësi me lojën e nigerianit dhe shpesh i bënin thirrje trajnerit Sormani që ta nxirrte nga loja.

-Minuta 74. Trajneri Dovedan i ankohet anësorit Fatmir Lamaj për mosakordimin e një faulli në favor të skuadrës ballshiote.

-Minuta 75. Trajneri Sormani dhe ndihmësit e tij u bëjnë thirrje lojtarëve që ta qetësojnë lojën.

-Minuta 83. Bardhi dhe Shkalla luftojnë për një top pranë vijës anësore. Topi preket lehtë nga Shkalla dhe anësori Lamaj bashkë me gjyqtarin Koçi akordojnë rivënie në favor të miqve, ndërsa gjyqtari i katërt që ishte shumë pranë aksionit u bëri shenjë me dorë që rivënia duhej të ishte për të kuqtë, por nuk u mor parasysh.

pARTIZANI

-Minuta 88. Tifozët e Bylisit kanë shpërthyer në delir pas golit të barazimit dhe më pas thirrën në kor: “Rama ik”, “Rama ik”.

– Vërshëllima përfundimtare i ka nervozuar jashtë mase tifozët e kuq, që prisnin fitoren dhe afrimin me kreun. Ultrasit ia refuzuan përshëndetjen ekipit pas ndeshjes, duke u kërkuar që të iknin. Lojtarët të mërzitur nga humbja, nuk shkuan në drejtim të ultrasve edhe për të mos acaruar situatën.

-Por situata ka qenë më e acaruar në tribunën qendrore, ku disa tifozë iu drejtuan drejtorit Rama me tone të larta, duke i kërkuar llogari për sulmuesit e huaj që kanë sjellë në ekip, madje edhe duke hedhur ofendime ndaj tyre. Ata i kërkuan drejtorit që këta lojtarë të mos tallen me fanellën e Partizanit, pasi ata sakrifikojnë për t’i mbështetur në stadium, ndërsa ata paguhen me superrroga.

-Edhe drejtuesit e kuq kanë qenë shumë të irrituar me gjykimin, madje me telefona në dorë bënin moviolën e golit të anuluar të Braunit dhe golin “fantazmë” të Bylisit. Drejtori Olsi Rama nuk i ka fshehur pakënaqësitë dhe ankesat e tij për gjykimin, madje ka shprehur edhe keqardhjen që gjithë ai investim në stadiumin e ri nuk ka të instaluar teknologjinë për të verifikuar kalimin e vijës fatale të portës nga topi “Goal line technology”.

Olsi Rama dhe Devedan (1)

Drejtori Rama moviolën e golit të Bylisit e ka bërë pas ndeshjes edhe me trajnerin Dovedan, i cili është dukur i dyzuar nga pamjet. Gjithsesi, drejtori Rama inatin e ka me gjykimin, por Bylisin nuk e akuzoi se vodhi gjë, pasi miqtë luajtën mirë gjatë gjithë ndeshjes duke i vënë në vështirësi.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"