Pikante nga ndeshja/ Bonuçi kapet me Panuçin, Kielini “godet” Venturën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 21:25

Pikante nga ndeshja/ Bonuçi kapet me Panuçin, Kielini “godet” Venturën

Nga batutat para nxehmjes, te nervat në fushë dhe deri te tifozët që ikin disa minuta pa mbaruar takimi. Në Shkodër ndeshja ngjante si një miqësore në fushë dhe tribuna, por e përjetuar në mënyra të ndryshme nga “aktorët” kryesorë të lojës. Panuçi irritohet shpesh, ndërsa Ventura është ndoshta më i qetë se duhet. Këto, por jo vetëm, “Panorama Sport” jua sjell në ato se çfarë nuk u panë në TV.

sadiku kielini

PARA NDESHJES

* Trajneri i Italisë, Xhanpiero Ventura dhe mesfushori kuqezi, Migjen Basha janë takuar në “Loro Boriçi” para ndeshjes, duke kujtuar edhe një herë kohën kur ishin së bashku te Torini. Basha i rreh shpatullat Venturës dhe qeshin pa fund. Më pas vjen edhe sulmuesi Imobile dhe të tre shkrihen së qeshuri pas një batute të Venturës.

* Elseid Hysaj për më shumë se 5 minuta është parë në shoqërinë e mbrojtësit Rugani (shok skuadre tek Empoli). Ndërsa Memushaj qëndron më shumë me portierin e Milanit, Donaruma, teksa shihen duke qeshur pas batutave të çastit. Mbrojtësi Ajeti zgjedh të bisedojë pak minuta me lojtarin e Atalantës, Spinacola.

* Berisha del i pari në nxehmje me fanellën e Lorik Canës. Më pas dalin të gjithë futbollistët, të cilët mbajnë veshur numrin 5 të ish-kapitenit legjendar, ku ishte e shkruar: “Faleminderit kapiten!”

* Të gjithë në nxehmje bëjnë ushtrime me topin, vetëm Mërgim Mavraj bën vrapim i veçuar.

* Nis leximi i emrave, ka ovacione për lojtarët shqiptarë, ndërsa Italia vërshëllehet. Interesi i vërshëllimave bie vetëm kur dëgjohet emri i Bufon. Aty ka më shumë duartrokitje sesa vërshëllima.

* Ventura hyn në fushë dhe jep udhëzime për lojtarët. Një top i gjuajtur nga Kielini i përplaset në bark, por trajneri italian nuk e jep veten…

* Ventura flet pothuajse me të gjithë lojtarët veçmas, ndërsa Panuçi nuk është fare në fushë. Nxehjen e drejtojnë Bulku dhe Bozhiqi.

* Nuk mungojnë banderolat thumbuese për institucionin e futbollit shqiptar. “FSHF MAFIA”, shkruan njëra prej tyre, por hiqet nga policia në mesin e pjesës së parë. Për të monitoruar të gjitha tifozeritë pas portave, disa prej policëve ishin të pajisur me aparate fotografike, për të parë më qartë pamjet.

3

GJATË NDESHJES

* Minuta e 6-të, Panuçi tërbohet me Veselin dhe bërtet sa mundet. Trajneri jep vazhdimisht urdhra për të ecur përpara…

* Në minutën e 30-të, trajneri heq xhaketën dhe rri vetëm me jelek, ndërsa Ventura as që e merr guximin të heqë xhupin.

* Te dëmtimi i Roshit në fundin e pjesës së parë, italianët tentojnë të vazhdojnë lojën. Bufon jep urdhër për të nxjerrë topin jashtë dhe menjëherë Kielini i bindet.

* Në fillim të pjesës së dytë, Panuçi është shumë më i qetë se Ventura… Ky i fundit vetëm bërtet…

* Agolli udhëzon Grezdën në fillim të pjesës së dytë: “Ec para, mos rri kaq afër meje… ik… ik…”.

* Stadiumi në shumicën e kohës është në qetësi absolute. Ka vetëm atmosferë nga grupime të vogla.

* Agolli shkakton faull ndaj Kandrevës. I ofron dorën, por italiani e refuzon. Në stadium shpërthejnë sharjet ndaj italianit.

* Bufon hakërrehet keq me Zapakostën, pas gjuajtjes së Grezdës në të 64-ën… Bulku thërret Grezdën për t’i dhënë udhëzime.

* Panuçi urdhëron Kaçen: “Ec vetëm vertikalisht përpara-mbrapa… Asnjëherë mos shko nga krahët”.

* Del topi jashtë dhe Panuçi mendon se është anësore për tanët… Revoltohet me arbitrin, por i shkon Bonuçi afër dhe e sqaron se topin e nxori Grezda dhe jo ai.

* Njerëzit nisin të largohen nga stadiumi që në minutën e 86-të.

* Bufon u bërtet shokëve: “Kujdes, edhe 30 sekonda dhe mbaroi!”.

Nga Shkodra, Jetmir Halilaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"