Pikante nga Kukësi-Partizani, Duro acarohet dhe futet në fushë, Rama largohet i fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2020 | 22:34

Pikante nga Kukësi-Partizani, Duro acarohet dhe futet në fushë, Rama largohet i fundit

Kukësi-Partizani është ndeshja e dytë e Kategorisë Superiore që luhet në stadiumin e ri kombëtar. Por, në dallim nga derbi i 13 dhjetorit, ku të pranishëm ishin rreth 20 mijë tifozë, dje numri ishte gati pesëfish më i vogël. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes.

GOLI KUKESIT

* Ndonëse ndeshja ishte në transfertë, numri i ultravse të kuq, por edhe mbështetja e tyre bënte që për Partizanin të ishte si ndeshje shtëpie, ku të besuarit e trajnerit Sormani nuk ia dolën.

* Partizani vinte me shumë mungesa në këtë takim, gjë e cila vërtetohej duke parë tribunën qendrore ku ishin akomoduar të kuqtë, ku rreth një formacion me titullarë ishin në rolin e tifozëve.

* Në minutën e 27-të trajneri Duro irritohet me të tijtë që lejuan Solomon të rrezikonte. Aq i madh ishte zhgënjimi, sa Duro hyri në fushë duke u tërhequr vëmendjen të tijve.

Shpetim Duro
* Stafi teknik u mundua me çdo mënyrë të instruktonte skuadrën. Madje, kishte momente ku të tre trajnerët, Sormani, Maxela dhe Kalari, udhëzonin njëkohësisht me duar dhe me fjalë.

* Në minutën e 60-të Maliqi tregohet “Fair Play”, duke ndërprerë aksionin, pasi Bardhi ishte në fushë. Por, ky veprim nuk u pëlqeu kuksianëve, të cilët i tërhoqën vëmendjen mbrojtësit për ndërprerjen e aksionit.

* Minuta 64. Goditje dënimi për Kukësin. Limaj dhe Obanor bëjnë një hile, ku mesfushori lëviz topin nga shenja që bëri gjyqtari Hamiti dhe nigeriani mori shkumën dhe e vendosi para “sferës” pa u diktuar.

* Në minutën e 66-të tifozët kuksianë shpërthejnë në kor duke bërtitur: “Rama ik, Rama ik”. Pa dyshim bëhej fjalë për kryeministrin, jo vëllain e tij, që është drejtor te Partizani.

* Goli i Kukësit solli polemika të shumta te kampionët, ku stafi teknik më shumë u mor me arbitrin e katërt, ndërsa lojtarët e patën me tre gjyqtarët që ishin pranë aksionit.

Goli i Kukesit
* Zyrtarë të Kukësit bënë me dije pas ndeshjes se 25% e vlerës së biletave do të shkonin si tarifë për stadiumin.

* Pas ndeshjes heshtja pllakosi te “demat”, ku për minuta të tëra drejtori Olsi Rama ka qëndruar ulur në tribunë dhe ka zbritur poshtë vetëm pasi ishin larguar të gjithë të pranishmit në këtë sektor.

Olsi Rama
* Edhe te Kukësi situata nuk ishte shumë optimiste pas fitores, mbase edhe nga debati i lindur mes trajnerit Duro dhe Gavazajt pas zëvendësimit.

Ilir Cara 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"