PIKANTE| Kukësi-Laçi/ Kritika Gavazajt dhe “trajnerë” në tribuna. Afro 200 tifozë në “Elbasan Arena”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2020 | 22:39

PIKANTE| Kukësi-Laçi/ Kritika Gavazajt dhe “trajnerë” në tribuna. Afro 200 tifozë në “Elbasan Arena”

Ndeshjet e Kukësit dihet që prodhojnë gjithnjë pak tifozë, për probleme që janë të njohura tanimë. Edhe ata pak që vijnë mundohen të bëhen “protagonistë” me udhëzimet që japin dhe kundërshtitë që kanë kundër ekipeve të tyre apo gjyqtarët. Trajnerë që nervozohen me gabimet e lojtarëve të tyre, si edhe gola që i dedikohen Zotit. Dueli brenda duelit në fushë, Nuabueze-Shkurtaj, mbyllet pa surpriza. Këto dhe jo vetëm, ishin disa nga pikantet e sfidës në “Elbasan Arena”.

kukesi

Tifozët shqiptarë shquhen për të dhënë sugjerime, për më tepër kur bëhet fjalë për t’ia dhënë gjyqtarit në një ndeshje futbolli. Shpesh, gjatë sfidës i sugjeronin kryesorit Meta për dhënien e faulleve apo të kartonëve.

Si gjithnjë, në stadium numri i tifozëve ishte shumë i paktë, me numrin e tyre që shkonte tek afro 200. Edhe çmimet e larta kanë pasur pjesën e vetë në stadiumin e boshatisur.

Shpeshherë, në fushë lojtarët bëhen edhe “trajnerë”, duke i dhënë udhëzime njëri-tjetrit, sidomos portierët.

Në këtë ndeshje ka pasur edhe një duel midis dy sulmuesve më të mirë të kampionatit, Nuabuezes dhe Shkurtajt. Dueli personal nuk pati fitues, sepse të dy shënuan nga një gol dhe lista e kryegolashënuesve mbetet me të njëjtën diferencë. Amerikani mbetet i pari, ndërsa vlonjati “ngushëllohet” me pikët.

Safet Gjici

Safet Gjici dhe Pashk Laska e panë ndeshjen në tribunën VIP, të shoqëruar nga miqtë e tyre.

Në të 38-ën pati edhe nerva. Një faull i Maliqit dhe karton i marrë. Nuk është përtypur mirë nga lojtari dhe shokët e tij, që u ankuan gjatë tek anësori Myftari dhe më pas Meta.

Një tifoz i Kukësit kapet me Gavazajn, duke i kërkuar pak më shumë impenjim: “Gavazaj, hë mo luaj futboll aty”. Në një rast të një goditjeje dënimi, të kryer shumë keq nga mesfushori, sjell irritimin e Duros. “O Enis, po çfarë bën mo”.

Edhe tekniku Armando Cungu nuk i kursen kritikat për të tijtë, sidomos në rastet që kanë në këmbët e tyre, por nuk i frikësoi si duhet. Gëzohet pa masë te goli i Nuabuezes, por ankohet tek arbitri për golin e barazimit të Abazajt.

Në momentin që u mbyll pjesa e parë, tifozët e Kukësit kanë pasur ankesa ndaj kryesorit Meta, duke lëshuar ndaj tij një lumë të sharash.

Pas festës me shokët e skuadrës për golin e shënuar, Valon Ethemi i përulet edhe Zotit.

Kuper dhe Jomba ishin në pankinat e Kukësit dhe Laçit dje, e megjithatë nuk morën minuta. Debutimi shtyhet për më tutje.

Ardit Deliu mori të verdhë dje dhe zyrtarisht ka plotësuar numrin 4 të kartonëve, ndaj do të mungojë kundër Partizanit.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"