Pikante| Kukësi-Laçi/ “Hajde se i la nafta”, Eze prish pikën e penalltisë, portieri i skuadrës verilindore fal dorezat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2021 | 18:28

Pikante| Kukësi-Laçi/ “Hajde se i la nafta”, Eze prish pikën e penalltisë, portieri i skuadrës verilindore fal dorezat

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante që nuk u panë në TV gjatë ndeshjes Kukësi-Laçi në “Elbasan Arena”.

Kukesi-Laci

* Pashk Laska dhe Safet Gjici janë dy presidentë që u qëndrojnë gjithnjë afër skuadrave të tyre dhe para se të startonte sfida zbritën poshtë në pankinat përkatëse. Më pas, të dy në kohë të ndryshme zhvilluan një bisedë me delegatin e ndeshjes, Besnik Çela, duke shmangur edhe takimin midis tyre. * Në impiant punonte vetëm një tabelë që tregon minutat dhe rezultatin, ajo nga pjesa jugore. Në pjesën veriore ishte e prishur dhe nuk u vu në punë.

* Tani fotot zyrtare të ekipeve bëhen në banerin që tregon Kategoria Superiore. Pasi e bënë fillimisht kuksianët, ishte radha e laçianëve. Por, në këto momente vijnë arbitrat dhe do të hidhej shorti me kapitenët. Pritën derisa mbaroi ky ritual dhe bënë foton zyrtare.

* Lojtarët respektivë të të dyja ekipeve nuk ngurruan t’i luteshin Zotit për pak fat. Erhun Obanor i Laçit e zgjat pak më shumë ritualin, i pashqetësuar se ndeshja ishte gati për të startuar.

* Emiljano Musta ndëshkon ish-skuadrën e tij dhe preferon që shënimin e këtij goli ta festojë me trajnerin Shpëtim Duro.

Laci Musta

* Delegati Besnik Çela ndihet i shqetësuar nga kameramani që qëndronte midis pankinave për të filmuar. I kërkon që të tërhiqet paksa më mbrapa, pasi i pengonte fushëpamjen.

* Në tribunën e “Elbasan Arenës” ishte i pranishëm edhe ish-trajneri i Tiranës, Ardian Mema, i cili pa nga afër takimin.

* Redon Xhixha nuk stopon si duhet një top, duke sjellë acarimin e Duros: “Po merre mor dreq topin mirë, merre”, duke qenë jo pak i irrituar.

* Duro acarohet edhe me Albion Markun pas një topi të gabuar: “O Marku, po ku e çon topin mo?”, ia behu tekniku.

* Jo pak i acaruar me të tijtë ishte edhe Mirel Josa: “Më shpejt atë topin, shoku pret majtas shkon e mban kot. Hyn mes gjashtë lojtarëve aty kot”, ia beh Josa.

* Portieri i Kukësit, Angelo Tafas, i cili në këtë ndeshje ishte në stol, ia dhuron dorezat njërit prej fëmijëve që kapte topat.

* Kur një lojtar i Laçit u rrëzua në tokë pas një dëmtimi, një tifoz kuksian nuk kurseu ironitë: “Hajde se i la nafta. Ku është ambulanca?” Ndërkohë, kur doli Ignjatoviç nga loja, po i njëjti tifoz ia behu: “Hajde, se kur bie kapiteni, ikën ekipi”.

* Në të 74-ën Emiljano Musta shkon te pika e penalltisë për të ekzekutuar, me Ezenë që shkon ta shqetësojë dhe kapen me duar, pasi sulmuesi i Kukësit donte të prishte pikën e bardhë të penalltisë. Afrikani merr të verdhë dhe nuk i del inati me elbasanasin. Ndërkohë, papritur largohet Musta dhe afrohet të gjuajë Lushkja, i cili nuk gabon.

* Në fund ka edhe tension midis dy tifozëve kundërshtarë gjatë momentit që po dilnin nga stadiumi. Gjithsesi, ndërhyrja e të pranishmëve bëri të mundur që situata të mos rëndohej më shumë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"