PIKANTE KUKËSI-KAMZA/ E frikshme, 60 tifozë në stadium. Cungu replika me gjyqtarin: Nuk është dorë çdo…

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 24, 2018 | 22:34

PIKANTE KUKËSI-KAMZA/ E frikshme, 60 tifozë në stadium. Cungu replika me gjyqtarin: Nuk është dorë çdo…

Kukësi nënkampioni në fuqi, një nga pretendentët kryesorë për titullin e këtij sezoni, është vetëm një pikë larg kreut, luan në stadiumin më të mirë në Shqipëri dhe nën dritën e pozhektorëve, por ndiqet vetëm nga 60 tifozë dhe shumica ishin të Kamzës… E frikshme të shohësh “Loro Boriçin” e boshatisur, në një kohë kur edhe ligat inferiore mund të kenë shumë më shumë interes.

Kukesi

– Cungu dhe Duro dikur shokë ekipi te Vllaznia, dje në Shkodër diskutonin fitoren si trajnerë të Kukësit dhe Kamzës. Që të dy përgjatë gjithë takimit kanë qëndruar në këmbë dhe janë shfaqur shumë kërkues karshi lojtarëve të tyre.

– Donjet Shkodra e nisi si titullar. Dëmtimi i Musollit ka sjellë ndryshime në formacion dhe rrjedhimisht përfshirjen në 11-she të mesfushorit kosovar.

– E 10-ta minutë dhe Rexhinaldo ka “xixa” me Arrabalin, pasi ky i fundit e shtyn. Nervat vijojnë dhe u duk sikur ishte një sfidë personale mes dy lojtarëve. Edhe pse u falën disa herë, në pjesën e dytë nuk u shpëtuan as të verdhëve.

– Ylli Shameti, festë speciale pas golit. Me të shënuar, i drejtohet pankinës për të marr fanellën me numrin 23 të mesfushorit Besar Musolli të dëmtuar. Një festim i tillë ka sjellë duartrokitje nga ata pak tifozë kuksianë, por të shara nga ata të Kamzës, që e morën si provokim gjestin e kapitenit.

– I ligjshëm festimi i drejtuesve të klubit kuksian në momentin e shënimit të golit. Të gjithë me në krye presidentin Safet Gjici nuk janë përmbajtur pas rrjetës.

– Armando Cungu ka replikuar gjatë në minutën e 39- të të takimit me gjyqtarin kryesor, Blerim Ziri, për një faull të dhënë kundër ekipit të tij. “Shikoje mirë, se ishte më parë një faull në favorin tonë”, me këto fjalë i drejtohet shkodrani gjyqtarit.

– Irritim i tifozërisë së Kamzës ndaj gjyqtarëve pas vërshëllimës së fundit të pjesës së parë të takimit. Ata kanë lëshuar “lumë” ofendimesh në drejtim të treshes nga Fushë-Kruja.

– Pak Vllazni e pranishme në “Loro Boriçi”. Administratori i klubit Suad Lici dhe drejtori teknik Ergin Firat kanë ndjekur takimin e djeshëm mes Kukësit e Kamzës. Po ashtu, në këtë sfidë nuk kanë munguar edhe dy emra të shquar të futbollit shkodran, Hysen Zmijani e Avenir Dani, miq të afërm të Cungut. Madje, Dani ka qenë pjesë e stafit teknik i skuadrës kuksiane, vite më parë pikërisht kur këtë skuadër e drejtonte për të parën herë pikërisht trajneri aktual.

– Replikon sërish Armando Cungu në minutën e 56- të, por kësaj here me gjyqtarin e katërt e më tepër me homologun e tij. “Dora, dora”, ka kërkuar Klodian Duro për një top të rënë në gjoksin e një prej lojtarëve kuksianë brenda zonës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Cungut kur thotë: “Nuk është dorë çdo top që prek gjoksin e lojtarit brenda zonës. Lërini gjyqtarët të qetë”.

ADMIR URUÇI






www.minuta90.com