Pikante Kastrioti-Partizani/ Polici bën batuta me shoferin e autobusit, Gega “çmend” gazetarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2018 | 20:05

Pikante Kastrioti-Partizani/ Polici bën batuta me shoferin e autobusit, Gega “çmend” gazetarët

Nga bllokimi i autobusit tek injorimi i trajnerit të Partizanit, Skënder Gega, ndaj mediave. Të luash në Fushë-Krujë është kthyer në stres më vete për shoferët e autobusëve që transportojnë aty ekipet kundërshtare. Thuajse gjithmonë ndodh që autobusët e skuadrave ngecin në hyrjet dhe daljet, pasi rruga për në fushën sportive është shumë e ngushtë, ndërsa bllokohet edhe nga makinat që parkohen keq.

Autobusi

E njëjta histori ndodhi edhe dje me autobusin e Partizanit. Gazeta “Panorama Sport”, sjell ngjarjet më të veçanta që ndodhën dje përpara, gjatë dhe pas ndeshjes Kastrioti-Partizani që prodhoi batuta dhe shumë humor. Ja pikantet nga takimi i djeshëm. Ndërkaq, më shumë se 1200 tifozë ishin të pranishëm në stadium ku dihet se në Fushë-Krujë, Partizani ka mbështetje maksimale.

-Bllokadë që në hyrje. Autobusi i Partizanit ngec ende pa u futur në stadium dhe qëndron për disa minuta në pritje, por rruga e ngushtë dhe parkimet e gabuara nuk e lejojnë autobusin të kalojë. Më pas u vendos që stafi dhe lojtarët të vazhdonin në këmbë rreth 500 metra deri në impiant. Një histori që përsëritet gjithmonë përpara ndeshjeve kur aty luan edhe Iliria. Ndërsa autoritetet janë neglizhente duke mos marrë asnjëherë masa, edhe pse ndeshjet dihet se kur luhen.

autobuzi

-Siç pritej, impianti ishte i tejmbushur në të dy sektorët, me miqtë që ishin gjatë të gjithë kohës në festë dhe në mbështetje të skuadrës së zemrës. Shënimi i golit nga Partizani bëri që festa të shpërthejë jo vetëm në sektorin e miqve, por edhe në tarracat e shtëpive përreth. Dihet tashmë që në Fushë-Krujë ka shumë tifozë të Partizanit.

-Trajneri i të kuqve, Skënder Gega, ishte nervoz gjatë pjesës së dytë ku qëndroi në këmbë duke dhënë udhëzime për të tijtë.

-Në fund të takimit, Gega injoron mediat e tjera, duke i lënë që të prisnin derisa të përfundonte me “SuperSport”. Por, përfaqësuesit e mediave të tjera e braktisën dhe preferuan që të mos i merrnin fare prononcim Gegës, por vetëm trajnerit të krutanëve, Stavri Nica.

-Situata me autobusin përsëritet edhe në fund të ndeshjes. Rruga e ngushtë dhe trafiku i lënë sërish të kuqtë disa minuta në dalje.

-Batuta e një efektivi të policisë ishte epike. “Ku e ke gjet gjithë këtë autobus mo burr?”, i tha shoferit të kryeqytetasve, duke bërë që të shpërthenin të qeshurat në autobus.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"