PIKANTE Kamza-Tirana/ Daja “sherr” me tifozët, Cana pritet si idhull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2018 | 21:48

PIKANTE Kamza-Tirana/ Daja “sherr” me tifozët, Cana pritet si idhull

Kamza-Tirana nuk i ka shpëtuar tensionit. Në fundin e ndeshjes, tifozët janë kapur me futbollistin e Tiranës, Asion Daja. Përveçse e kanë ofenduar, ata kanë tentuar të kalojnë gardhin rrethues të fushës për të hyrë në fushë e për t’u përballur me futbollistin. Ishin forcat e sigurisë që e ndalën këtë konflikt, duke tërhequr Dajën dhe larguar tifozët. Vetë Daja për këtë rast, i pyetur nga gazeta, u përgjigj: “Si gjithnjë tifozët e Tiranës kapen për gjëra koti. Më ofenduan, si mua dhe presidentin Halili”.

Cana55

CANA – Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, ka qëndruar në tribunën VIP pranë presidentit të Tiranës, Refik Halilit dhe gjithë kohës kanë diskutuar mes tyre. Pas përfundimit të ndeshjes, Loriku është rrethuar nga një grup fëmijësh për të bërë foto me të.

ARBITRI – Kryesorit Olsi Sokoli, që ka gjykuar në këtë takim, sigurisht që nuk i kanë munguar edhe disa pikante. Kështu, fillimisht në minutën e 7-të gjatë një faulli në mesfushë i bie bilbili nga dora, në një kohë që Atinga po i kërkonte llogari për faullin. Gjyqtari vrapon të kapë bilbilin, por ky veprim e frikësoi shumë lojtarin kryeqytetas, se mos arbitri e ndëshkonte me karton të verdhë. Ndërsa, në minutën e 78- të topi u përplas në barkun e kryesorit Sokoli, por ky nuk e dha veten, vazhdoi të vraponte, po me duart te barku.

Tirana

TIFOZËRIA – Në stadium nuk pati shumë interesim nga ana e të dy tifozërive, duke qenë të pranishëm rreth 1000 tifozë, nga të cilët rreth 150 “Tirona Fanatics”. Ajo që të binte në sy se ultrasit nga Kamza ishin vetëm 25 fëmijë, nën moshën 10 vjeç, të cilët kanë habitur dhe rojet civile të sigurisë, me “huliganizmin” e tyre, me vërshimin drejt hekurave të rrethimit. Por, që ka sjellë dhe të qeshurat nga tribuna VIP.

Megjithatë, kanë mbajtur gjallë atmosferën e Kamzës, duke bërë tifo, madje nuk mungoi as edhe lodra (daullja) me të cilën këndonin. Në krahun tjetër të tribunës ishin vendosur tifozët bardheblu, të cilët kanë mbajtur gjallë atmosferën me këngët dhe brohoritjet për ekipin. Nuk kanë munguar as thumbimet ndaj kundërshtarit legjendar, Partizanit.

Madje, në pushimin e ndeshjes nuk kanë munguar sharjet në distancë me disa “Ultras Guerrils”, të cilët kishin hipur mbi tarracën e pallatit për karshi. Gjatë pushimit, në kor ata kanë ofenduar edhe presidentin Refik Halili, kanë ndezur tymuese, ndërsa hapën edhe një banderolë, duke bërë lanet edhe lojtarët. “Vetëm për Tironën, kurrë për lojtarët”, shkruhej në mesazhin e tifozëve të Tiranës.

Cana

ORELESI – Në minutën e fundit gjatë një largimi të topit nga mbrojtja, Nuredin Orelesit i hiqet këpuca, por në atë moment kur ai donte të vishte këpucën, ishte aksion për Tiranën. Mbrojtësi mundohet të kapë topin zbathur. Pas largimit të rrezikut, Sokoli ndal lojën për të veshur këpucën Orelesi.

ATINGA – Mbrojtësi bardheblu, Vinsent Atinga, në minutën e 54-t është trembur nga një top që vinte nga jashtë stadiumit dhe që ra pranë këmbëve të tij. Kjo solli të qeshura në stadium.

DËMTIMI – Portieri Avdyli ka respektuar “Fair Play”, për lojtarët e Tiranës. Por, “Fair Play” nuk është respektuar kur është dëmtuar vetë Avdyli, i cili ka mbajtur topin në dorë dhe është shtrirë përdhe. Arbitri Sokoli në këtë rast e detyron portierin që ta largojë topin nga duart për të marrë shërbimin mjekësor. Në rivënien anësore nuk është zbatuar “Fair Play” nga Tirana.

Kamza

TEQJA, MALAJ, BEQIRI – Treshja e Kamzës, Teqja, Malaj e Beqiri, që vuajnë pezullime dhe dëmtime e kanë ndjekur takimin nga tribuna “VIP”. Ata qëndruan shumë pranë presidentit të Tiranës. Nuk mungoi dhe shtrëngimi i duarve, duke qenë se Teqja ishte një bardheblu dy vite më parë.

NERVAT – Gjatë pjesës së parë ka pasur një debat të tendosur mes Kobinës dhe Memës për pozicionet e fushës. Gjatë gjithë 45-minutëshit të parë, Mema është dukur i nevrikosur në fushën e lojës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"