Pikante Kamza-Teuta/ Shkëmbin e zë “vapa” pas golit, Qarri braktis stadiumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2018 | 21:39

Pikante Kamza-Teuta/ Shkëmbin e zë “vapa” pas golit, Qarri braktis stadiumin

Dy presidentët, Naim Qarri dhe Edmon Hasanbelliu, kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit. Kur Kamza ka pësuar golin e tretë, Qarri është larguar, megjithatë i ka dhënë dorën kolegut të tij.

Kamza-Teuta

– Olsi Teqja në tribunë. Mbrojtësi është i dëmtuar për një shqetësim në ligament, ndaj edhe stafi mjekësor vendosi që të mos e rrezikonte.

– Sebino Plaku në stol. Sulmuesi nuk ishte në gjendje të mirë fizike, ndaj nuk e nisi si titullar dje.

– Minuta e 9-të dhe Isli Hidi kërkon ndihmën e mjekëve, ndien një shqetësim në gjurin e majtë. Del menjëherë në nxehmje portieri i dytë, por nuk ka vend për panik për ish-gardianin e Kombëtares kuqezi.

– Klodian Duro debaton me arbitrin e 4-t. Trajneri i Kamzës u pa për disa momente që të kontestonte gjykimin e Emirjon Sinos te Kridens Meta. Ndërsa, në sfond dëgjohej: “Nuk bëhet kështu”.

– Ditmar Bicaj merr kartonin e katërt dhe humb ndeshjen tjetër me Kukësin, e cila mund të konsiderohet si një “finale” e parakohshme për një vend në Kupat e Europës.

– Latif merr në krahë dhe Prognin, festë e çmendur e Teutës pas përmbysjes së dytë radhazi.

– Pas 5 minutash lojë, një top i harkuar që vinte nga jashtë stadiumit sa nuk i bie në kokë trajnerit të Teutës. Megjithatë, reflekset e Bledi Shkëmbit nuk kanë humbur, pasi u mënjanua në kohë. E njëjta situatë ngjau edhe në të 69-ën, por këtë herë topi u përplas në kokën e arbitrit kryesor Emirjon Sino.

– Pasi Kamza kaloi në avantazh, Shkëmbin e zuri “vapa”. Prej sikletit ndoshta, ai hoqi xhaketën dhe gjatë gjithë minutave të mëvonshme qëndroi në këmbë, duke këshilluar vazhdimisht të tijtë. Ndërkohë, homologu i tij, Klodian Duro, heshti pas golit të dytë të Teutës, duke qëndruar i qetë dhe shfaqur shenja mërzitjeje.

– Gjatë një goditje faulli rreth 18 metra, Tefik Osmani futet te barrikada e kamzalinjve dhe ka nervozizëm te lojtarët vendës. Megjithatë, arbitri nuk ka ndërhyrë për ta larguar. Më pas, Osmani shkon te Shkëmbi dhe diçka i thotë në vesh trajnerit.

– Në të 51-ën, Peçit gjatë një përplasjeje në dyluftim, i del gjak nga hundët, duke marrë mjekimin nga mjeku.

– Ndërrimi i dytë për kamzalinjtë ka vonuar 5 minuta, sepse nuk u ndizej drita e kuqe e tabelës elektronike. Ndërkohë që zëvendësimi i dytë për Teutën, tre minuta më herët, u bë me një të kuqe tejet të zbehtë.

– Para se të niste ndeshja, Ardit Deliu, Esin Hakaj, Glejdis Ndraxhi, Jurgen Peqini, Klinti Qato, Boubacar Traore që nuk ishin pjesë e 18-shes, kanë bërë tri xhiro vrap rreth stadiumit.

A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"