Pikante/ FSHF surprizon Tiranën me arbitrat, mesfushori ugandez me tifoze speciale në tribunë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2018 | 16:42

Pikante/ FSHF surprizon Tiranën me arbitrat, mesfushori ugandez me tifoze speciale në tribunë

– Marrëveshja e bërë mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj malteze, solli arbitra të huaj në Tirana-Pogradeci. Ndeshja u drejtua prej maltezit Jude Amin Utulu, ndërsa asistentë ishin caktuar Krisofer Frakalanza dhe Shanon Kaleja, sakaq i katërt ishte Markom Spoteri. Duhet thënë që vendimi i FSHF-së ishte surprizë për bardheblutë dhe liqenorët, pasi asnjëri prej tyre nuk e dinin këtë fakt.

malta

– Rregulli i kartës së identitetit vazhdon të mbajë bosh stadiumet. Kur Tirana duhet të siguronte matematikisht ngjitjen, të pranishëm ishin afro 200, për të mos thënë më pak. “Tirona Fanatics” bojkotuan edhe dje, pasi nuk kanë pranuar të identifikohen.

– Ilion Lika ishte gati dje, megjithatë, sikundër pritej, nuk do të ishte titullar. Pas konsultës, stafi teknik mendoi që të caktonte si rezervë portierin e tretë Princ Çalin.

– Vjen i nxehti edhe në Shqipëri. Kjo u pa qartazi me ndalesat që iu bë lojës dje. Kryesori Utulu ndërpreu ndeshjen në të 28-ën minutë dhe në të 74-ën, që lojtarët dhe ata vetë të hidratoheshin.

Tirana

– Ka edhe momente ilariteti në stadium. Ndërsa Albi Çekiçi “çirret” për t’u kërkuar shokëve të ekipit të afrohen më shumë në sulm, zëri bëri jehonë, duke sjellë edhe humor mes tifozëve.

– Vjen momenti i ndërrimeve te Tirana. Në tabelën elektronike duket qartazi që Qilimi do të zinte vendin e Karabecit në mesfushë, megjithatë ky zëvendësim u anulua direkt, pasi në të 69-ën Pogradeci ngushtoi shifrat në 2-1. Aty për aty Ze Maria thërret Alket Çelhakën, i cili pa nxemje futet në lojë dhe zë vendin e Erjon Hoxhallarit.

– Pogradeci është “preja” e preferuar e Tiranës. I kanë marrë plot 12 pikë në 4 ndeshje të luajtura në këtë sezon, duke i shënuar në total 15 gola. Por edhe liqenorët kishin diçka për të festuar dje, pasi për të parën herë e gjetën rrugën e rrjetës së bardhebluve, duke shënuar 2 gola.

– Nuk pati festë, por sigurisht që mes tyre lojtarët “adetin” do e bënin. Gati 30 minuta pasi ishte mbyllur ndeshja, nga dhomat e zhveshjes dëgjohen ovacione.

– Toni Maveje kishte një tifoze speciale në tribunë dje, bashkëshorten. Ajo e ka pritur deri në fund të ndeshjes dhe së bashku morën taksi për t’u kthyer në shtëpi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"