PIKANTE| Flamurtari-Skënderbeu/ Ribaj “shfryn” pas ndërrimit, i shkarkuari Sadedini në tribunë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 23:45

PIKANTE| Flamurtari-Skënderbeu/ Ribaj “shfryn” pas ndërrimit, i shkarkuari Sadedini në tribunë

Momentet pikante nga sfida Flamurtari-Skënderbeu, zhvilluar ditën e djeshme në qytetin e Vlorës:

flamurtari skenderbeu

-Pas nxehmjes, trajneri Ilir Daja përshëndetet nga tifozët e Flamurtarit, të cilët e thërrasin në emër. Edhe tekniku i korçarëve i kthehet përzemërsisht.

– Dritan Sadedini shfaqet në stadium. Trajneri i shkarkuar e ndoqi në tribunë i ulur ndeshjen. Sapo ulet, ish-trajneri ndez cigaren. Gjatë gjithë 90 minutave ka qëndruar i heshtur, duke ndjekur me qetësi ekipin.

– Në tribunën qendrore dje mungonte administratori Sinan Idrizi. Asnjë drejtues i Flamurtarit i ulur në rreshtin e parë. Ishte vetëm presidenti Ardjan Takaj dhe drejtuesit e Skënderbeut. Stolat ishin bosh si kurrë ndonjëherë. Pas 20 minutash ulet në vendin bosh të Idrizit anëtari i bordit Robert Islamaj.

– Ardian Takaj shfaqet në tribunë 20 minuta para nisjes së takimit. Pasi ngjitet në katin e dytë, qëndron tri minuta në këmbë dhe zbret përsëri bashkë me stafin e tij. Kthehet 7 minuta para se të fillonte ndeshja dhe zë vend në tribunë.

– Daja nuk feston në momentin e golit të Skënderbeut, ndërsa ul kokën.

– Rapo Taho ndoqi dje nga tribuna ndeshjen mes Flamurtarit dhe Skënderbeut. Ai kishte ardhur për të parë edhe debutimin e trajnerit të komanduar Luan Birçe, të cilin e ka mik. Taho shoqërohej nga Medin Xhelili, ishkryetar i Këshillit të Qarkut në Vlorë, një tifoz i zjarrtë i Flamurtarit.

– Semir Bajraktareviç ishte dje sërish në tribunë. Nuk dihet se përse edhe këtë herë ai mbeti pa u grumbulluar, në një kohë që nuk ka dëmtim, por stërvitet rregullisht. Nga tribuna ndeshja është ndjekur edhe nga Deliaj dhe Gocaj që ishin të pezulluar prej kartonëve.

– Andi Ribaj u shfaq tejet i mërzitur pas zëvendësimit. Duket se nuk u pajtua me vendimin e trajnerit Birçe, teksa u zëvendësua.

– Gentjan Mezani shfaqet në stadium. Në pjesën e dytë të ndeshjes, trajneri i Gjilanit, ish i Flamurtarit, mbërriti në stadium ku ndoqi ndeshjen. Ai u takua me anëtarët e stafit vlonjat, por edhe me shumë tifozë.

– Tifozët e Flamurtarit rikthehen në stadium. Ndryshe nga ndeshja me Vllazninë, dje në stadium numëroheshin rreth 2000 tifozë të cilët ndoqën takimin. Dje ra në sy një mbështetje e zjarrtë e vlonjatëve.

– Sërish nuk ka polici private në stadium. Të vetmet uniforma që shihen në tribunën qendrore ishin bashkiakët, ndërsa tek-tuk dallohej ndonjë polic rendi. Në tribunat e tjera nuk ka prezencë të xhaketave blu. Pas ndeshjes, policia e rendit dhe ajo bashkiake zbritën në hollin e stadiumit. Gjatë 90 minutave nuk u shënua asnjë incident.

– Mjeku Lluka rikthehet në stadium pas shumë kohësh. Ai u pa të vinte në pjesën e dytë i shoqëruar nga shefi i financës së klubit. Nuk dihet nëse është në rikthim, apo thjesht ishte si tifoz.

– Luan Birçe do të ishte i kënaqur vetëm me fitoren dje. Pas ndeshjes, ka qëndruar afër pankinave edhe pse në errësirë, pasi u fikën projektorët. Trajneri për 10 minuta foli me drejtorin Ciruna dhe përgatitësin atletik Rama. Teksa tymoste një cigare, dëgjohet t’u thotë bashkëpunëtorëve. “Sot duhet të fitonim”.

– Ilir Daja pas ndeshjes është takuar përzemërsisht me stafin e Flamurtarit, por edhe drejtues të klubit. Miqësisht ai u përqafua edhe me gazetarët dhe tifozët, duke treguar se gëzon respekt të plotë në Vlorë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"